English

Albtelecom mbështet policinë e Tiranës

Dhuron 10 kompjuterë dhe 20 radio dore

Tiranë, 20 janar 2011 NOA - ALBtelecom mbështet Policinë e Qarkut Tiranë duke dhuruar për efektivat të këtij qarku materiale logjistike të nevojshme në punën e tyre. Ceremonia e dorëzimit është zhvilluar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë ku të pranishëm ishin Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom z. Sevket ACAR, Zv/Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, z. Xhavit Çici dhe drejtues të lartë të policisë së këtij qarku.

ALBtelecom përmes këtij donacioni i ka dhuruar Policisë së Qarkut Tiranë 10 copë kompjuterë së bashku me aksesorët e nevojshëm si dhe 20 copë radio – marrëse të Bandës UHF, që do të shërbejnë për punonjësit e Policisë së Tiranës.

Drejtori i Përgjithshëm i ALBtelecom, z. Sevket ACAR gjatë ceremonisë u shpreh se “kontributi për Policinë e Qarkut Tiranë është në vazhdën e kontributit të kompanisë dhe pjesë e rëndësishme e strategjisë sonë për përgjegjësinë sociale.

Acar tha se dhurimi i këtyre pajisjeve, është një vlerësim i ALBtelecom për përpjekjet e Policisë Shqiptarë për garantimin e zhvillimit normal e të sigurtë të biznesit si dhe për ruajtjen e rendit dhe garantimin e sigurisë në kryeqytet.

“ALBtelecom ka bërë të qartë dhe ka dëshmuar se është i fokusuar të kontribuojë me projekte të veçanta për institucione apo organizma që janë të lidhura ngushtë me qytetarët. Ky kontribut nga ana jonë shihet si mbështetje jo vetëm ndaj efektivave të policisë por rrjedhimisht dhe ndaj qytetareve te Tiranes në tërësi. Shpresojmë që këto pajisje të jenë një ndihmë e mjaftueshme për të lehtësuar punën e punonjësve të rendit”, u shpreh ACAR.

Ai vijoi më tej duke thënë se ALBtelecom si një kompani shqiptare e konsideron si të dobishëm çdo mbështetje dhe asistencë për institucione apo organizma që i shërbejnë përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve shqiptarë. Acar shtoi se edhe gjatë këtij viti, ALBtelecom do të rrisë ndjeshëm volumin e investimeve në rrjet dhe shërbime, duke rritur akoma më shumë cilësinë e shërbimeve të ofruara dhe llojet e produkteve. Vetëm këtë vit, sipas tij janë parashikuar të investohen rreth 40 milionë Euro dhe qytetarët shqiptarë do të jenë përfituesit kryesore të këtyre investimeve.

Ndërkohë Zv/Drejtori i Policisë së Qarkut Tiranë, z. Xhavit Çici, falënderoi drejtuesit e Kompanisë ALBtelecom për donacionin e dhënë si dhe për kontributin e tyre për punonjësit e policisë së Tiranës. Ai tha se Policia e Shtetit do të vazhdojë të rrisë më tej përpjekjet për garantimin dhe zhvillimin normal dhe të sigurt të biznesit.

“Përfitoj nga rasti t’ju falënderoj për bashkëpunimin e deritanishëm dhe Ju garantojmë së përpjekjet Tona për garantimin e sigurt të biznesit do të jenë të vazhdueshme edhe në të ardhmen. Ndihma Juaj e mundshme do të përdoret nga efektivat e Policisë së Tiranës”, u shpreh z. Çiçi.

e.r/NOA

KOMENTE