English

Blerim Shala: S’kam ofertë për president, as për kryeministër

Prishtinë, 20 janar, NOA - “Ne kemi thënë gjithmonë që ne nuk bëjmë koalicion me PDK-në për shkak të dallimeve thelbësore në shkollën e qeverisjes”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Blerim Shala, nënkryetar i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Zoti Shala, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë një prej subjekteve më së shumti të përfolura në kalkulimet rreth formulës së ardhshme qeverisëse. Cili është, aktualisht, pozicioni i AAK-së në bisedimet për institucionet e reja?

Së pari bisedime për krijim të koalicioneve nuk ka pasur, nuk ka dhe po besoj se as që mund të ketë pa ndodhur certifikimi i zgjedhjeve. Për fatin tonë të keq, ne e dimë fare mirë se çfarë zgjedhjesh kemi pasur. Ky proces është zvarritur, certifikimi nuk mund të ndodhë para fillimit të shkurtit, prandaj me ndërgjegje të plotë po ju them se nuk ka pasur biseda serioze për krijim të koalicionit ndërmjet AAK-së dhe kujtdo qoftë tjetër. Së dyti, qëndrimi i AAK-së është i njohur dhe nuk ka ndryshuar. Ne kemi thënë gjithmonë që ne nuk bëjmë koalicion me PDK-në për shkak të dallimeve thelbësore në shkollën e qeverisjes. Nuk kemi gjë personale, as kundër Thaçit dhe as kundër PDK-së. Por, ne mendojmë se qeverisja e keqe, e gabuar PDK-LDK, ta shtojmë këtu edhe LDK-në, ka sjellë Kosovën në një gjendje të rëndë, ku, siç po shohim të gjithë, tashmë kanë gufuar nga të gjitha anët kritika shumë të ashpra për gjendjen ekonomike, sociale, politike, për mungesën e rendit dhe ligjit, për dështimet e njëpasnjëshme në diplomacinë kosovare. Kosova si shtet sot gjendet e rrezikuar nga të gjitha anët.

Ndërkohë, edhe emri i juaj është përfolur shumë për postet e larta udhëheqëse, qoftë për postin e presidentit, apo të kryeministrit të ardhshëm. Keni pasur ju një ofertë nga qendrat e këtushme politike?

Jo, unë e thashë që nuk kemi pasur bisedime. Fatkeqësisht, në mungesë të proceseve të mirëfillta politike, shoqëria kosovare ka hyrë në një vorbull të thashethemeve, spekulimeve politike, mashtrimeve, fatkeqësisht edhe shpifjeve. Po më vjen keq që duhet ta them haptazi, por bartës i këtyre shpifjeve, sidomos javët e fundit, kundër meje personalisht dhe kundër AAK-së, është portali Koha Net, i cili udhëhiqet nga Grupi Koha, që është pronë e familjes Surroi. Nuk e di se me çfarë motivi janë duke shpifur vazhdueshëm kundër meje dhe AAK-së, dhe mendoj se rendi ka qenë që një media që pretendon të jetë serioze, të jetë shumë më e kujdesshme. Pra, nëse i kthehem tash pyetjes suaj, nuk kam pasur asnjë bisedë serioze ku thuhet për shembull që Blerim Shala duhet të jetë president apo kryeministër i Kosovës. Tek e fundit, tema e ndarjes së ministrive, tema e kandidatëve eventualë për postet më të larta të vendit, është tema e fundit, së cilës i paraprin para së gjithash një marrëveshje eventuale për koalicion dhe, së dyti, duhet t’i paraprijnë disa parime themelore se çfarë dëshirohet të mbërrihet me një qeveri. E, unë ju thashë se as nuk ka pasur ndryshim të qëndrimit të AAK-së dhe as nuk ka pasur biseda serioze për çkado qoftë. Supozoj që për shkak të situatës, e cila do të krijohet pas certifikimit të zgjedhjeve, ata që janë në ballë të këtij procesi, do të provojnë të kontaktojnë me ne dhe ndoshta të na e bëjnë edhe një ofertë formale se çfarë me të vërtetë nënkuptojnë me koalicion.

Po çfarë konsideroni se do të duhej të përmbante një ofertë e tillë, marrë parasysh rezultatet e zgjedhjeve dhe pozicionimet e partive politike, pasi që ka subjekte që nuk e pranojnë rezultatin? Thjesht, a po zhytet Kosova në një ngërç politik?

Po kemi hyrë në një ngërç politik objektivisht dhe fatkeqësisht që nga zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, të cilat vazhduan me muaj të tërë me rezultate të kontestuara, me mësime të nxjerra prej nesh dhe prej faktorit ndërkombëtar. Ju kujtohet që ideja themelore atëherë ishte që të thjeshtësohet procesi i zgjedhjeve, kurse vitin e kaluar patëm zgjedhjet më të këqija prej se organizojmë zgjedhje në Kosovë. Zgjedhje me legjitimitet të dëmtuar, të lënduar, siç po thotë dikush, të degraduara dhe këto zgjedhje, si të tilla, nuk mund të prodhojnë një qeveri stabile, pos nëse do të ketë një marrëveshje të madhe politike se çfarë duhet bërë, cila duhet të jetë agjenda e Kosovës në 24 muajt e ardhshëm dhe si duhet t’i përgatisim zgjedhjet e reja. Besoj se nuk e kam gabim që nuk ka subjekt politik në Kosovë, i cili dëshiron të hyjë në zgjedhje me këtë sistem zgjedhor që është në fuqi, me një zonë zgjedhore e me pesë kandidatë. Të gjithë mendojnë se duhet të bëjmë ndryshime rrënjësore. E këto ndryshime rrënjësore nënkuptojnë që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt, e jo përmes Kuvendit, së dyti Kosova të ndahet në pesë deri në shtatë zona zgjedhore. Vetëm në këtë mënyrë mund të shpëtohet demokracia në Kosovë, sepse demokracia në Kosovë është rrezikuar thellësisht me zgjedhjet e këtilla.

Në fakt, ju kërkoni një qeveri, e cila do ta përgatiste vendin për një proces të ri demokratik, por për një periudhë më të gjatë kohore sesa që ka tash aktualisht një ide nga LDK-ja?

Janë disa elemente, të cilat janë të pashmangshme nëse me të vërtetë dëshirojmë të bisedojmë për çfarëdo qeverie të re. Disa elemente janë paraqitur, siç e dini, nga deklaratat, intervistat e ambasadorit Dell dhe Piter Feith. Së pari është ideja e qartë e qeverisë me duart e pastra dhe këtu nuk mund të ketë dy-tri-katër interpretime. Nuk flasim për letërsi, por për një situatë shumë të qartë ligjore e politike. Së dyti, që po harrohet prej nesh, sepse po përqendrohemi vetëm te çështja e duarve të pastra, është puna e mendjes, sepse ata (ndërkombëtarët) po na thonë që duhet të jetë një qeveri kompetente e përbërë nga ministrat që e dinë punën e vet. Së treti, Kosovën e presin telashe shumë të mëdha në 2-4 vitet e ardhshme. Ne jemi shteti më i varfër në botë, jemi shteti më i korruptuar në Ballkan, jemi shteti më i izoluar në botë për shkak të zhvillimeve të njohura. Ne nëse nuk fillojmë ta zhvillojmë ekonominë e Kosovës me 7 deri në 8 për qind rritje ekonomike çdo vit, do të kemi telashe të shumta. Të mos flas edhe për njohjet ndërkombëtare të Kosovës, për hyrjen e Kosovës në organizma ndërkombëtare, e të mos e harrojmë as dialogun me Beogradin, sepse ky është obligim që është trashëguar nga qeveria e kaluar në bazë të rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Tash kur t’i shohim këto 10-12 elemente që duhet të jenë të përbashkëta, atëherë edhe duhet të bisedohet seriozisht mes nesh se çfarë dëshirojmë të bëjmë me Kosovën. Flas më shumë si analist, sesa si politikan. Jam tepër i shqetësuar dhe mendoj se Kosova është në një udhëkryq shumë të rrezikshëm dhe tri vjet pas bërjes së Kosovës shtet i pavarur, neve na presin punë të jashtëzakonshme, të cilat mund t’i adresojmë vetëm nëse krijojmë një klimë krejtësisht tjetër politike, që aktualisht nuk është mbizotëruese në Kosovë.

A mund të dilet nga ky udhëkryq përmes një qeverie me një bazë më të gjerë që t’i ndihmoni partitë që kanë arritur një rezultat më të lartë në zgjedhjet e fundit?

Në teori po. Mendoj që kemi një deficit të legjitimitetit, këtë duhet ta pranojmë të gjithë ne që kemi hyrë në Kuvendin e Kosovës. Pra, kemi një deficit apo një mungesë të madhe në raportin midis vullnetit të qytetarit dhe rezultatit final dhe mundësia e vetme, po flas në teori, që disi ta tejkalojmë këtë deficit, është që të ulemi, të bisedojmë, ta kemi një tryezë politike e të merremi vesh se çfarë do të bëjmë me idenë bazike që ne jemi në shërbim të qytetarëve dhe në shërbim të vendit. Kosova është harruar në politikën kosovare, nuk është askund.

Favorizoni, do të thotë, një qeveri me bazë të gjerë, krahasuar me një qeveri të koalicionit të ngushtë, me sa kuptuam?

Mendoj se në bazë të defekteve që i ka prodhuar procesi zgjedhor i 12 dhjetorit, si dhe rivotimet e 9 janarit, mundësia më e mirë për Kosovën do të ishte që ne të uleshim në një tryezë të rrumbullakët dhe të merreshim vesh për një proces, i cili do të nënkuptonte përmbushjen e një agjende shumë të qartë, ta zëmë 10 pikëshe. Njëra prej pikave gjithsesi do të ishte reformimi i sistemit zgjedhor, ndryshimi i Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

Sa do të zgjaste mandati i një qeverisjeje të tillë?

Do të ishte çështje e hapur, ngase kur e dimë përvojën nga e kaluara se ne mund të bëjmë zgjedhje sivjet, është e paimagjinueshme dhe ju e dini se në atë rast mund të ketë rënie drastike të daljes së votuesve, të cilët janë lodhur dhe po ndihen të mashtruar, sepse nuk po e shohin që vota e tyre po përkthehet në një vullnet të mirëfilltë politik. Prandaj, më mirë është të presim, qoftë edhe për një periudhë më të gjatë kohore, me një mandat të qartë të kësaj qeverie, por në fund të organizojmë zgjedhje të mirëfillta, me të cilat do ta tejkalonim barrën e keqe të organizmit të zgjedhjeve, që po prodhojnë jostabilitet në Kosovë.

REL

KOMENTE