Situata në Shqipëri është shumë e tensionuar. Pas dorëheqjes së zëvendëskryeministrit Ilir Meta, opozita ka bërë thirrje për një protestë të madhe për rrëzimin e qeverisë Berisha, që sipas tyre është e korruptuar.
Lidhur me këto zhvillim,e ndiqni më poshtë një intervistë me eurodeputeten Doris Pack nga radio Dojçe Vele.
Zonja Pack, situata politike në Shqipëri ka arritur kulmin pas publikimit të video-s për korrupsion të ish zëvendëskryeministrit Ilir Meta. Kjo ka thelluar më tej hendekun mes dy kampeve politike. Cili është mendimi juaj për këtë gjendje?
Situata është e trishtueshme, situata tani po eskalon. Është në rregull që Ilir Meta dha dorëheqjen. Por në Shqipëri ka vazhdimisht të akuzuar për korrupsion, vazhdimisht njëra palë fajëson tjetrën. Natyrisht që opozita e shfrytëzon këtë sa të mundet, por kjo e tëra mund të rezultojë në bumerang. Por e trishtueshme është që situata politike në Shqipëri e bën të vështirë punën. Shumë ligje nuk kanë mundur të miratohen në parlament për shkak se kërkohet një shumicë votash, më e madhe se sa fraksionet qeveritare. E tëra klima politike është helmuar. Kur lexon gazetat e përditshme, pyet kur do të marrë fund kjo dhe kur qytetarët e Shqipërisë do ta humbasin durimin. Protestat e vazhdueshme të opozitës dhe kërcënimet janë tërësisht kontraproduktive. Unë mund të them se situata tani në Shqipëri është për të ardhur keq.
A janë vënë në pikëpyetje institucionet e Shqipërisë? Kam parasysh këtu debatet mjaft të ashpra në parlament. Kultura e një parlamenti të mirëfilltë demokratik duket se është larg kritereve që kërkon BE. Jo. Unë mendoj se institucionet janë aty. Qeveria punon, tani një ministër u tërhoq dhe ai është zëvendësuar, gjë që ndodh shpesh në Shqipëri. Pra qeveria punon, parlamenti është i zgjedhur dhe po punon. Nuk ka arsye që opozita të thotë se ky parlament nuk është legjitim. Ka vetëm sulme të vazhdueshme nga opozita por që nuk ka shkuar asnjëherë në gjykatën kushtetuese, gjë që bën që opozita të mos marrë pjesë rregullisht në parlament. Institucionet mund të funksionojnë, edhe parlamenti funksionon, por kur atij i duhet një shumicë e madhe, nuk funksionon. Kjo vjen nga mosbashkëpunimi me opozitën.
Më 21 janar opozita do të organizojë një protestë të madhe për largimin e qeverisë Berisha. BE bën thirrje për dialog politik. Si mund të arrihet deri aty?
Kam kohë që dëgjoj për organizimin e demonstratave të mëdha ose më pak të mëdha, apo grevë urie. Kjo nuk është politikë. Kjo është një lojë e paparë në kurriz të popullit. Njerëzit presin që deputetët që ata i kanë votuar të bëjnë politikë, të flasin në parlament për problemet e tyre. Kur je në opozitë nuk mund të arrish të gjitha ato kur je në qeveri. Por kjo është normale në çdo sistem demokratik. Dhe këto protesta nuk ndihmojnë askënd dhe veç kësaj dëmtojnë imazhin e Shqipërisë. Dialogu politik do të ishte i domosdoshëm. Por politikanët duhet të jenë të gatshëm të punojnë për këtë. Ata duhet të jenë të hapur po ashtu për një dialog. Që të jesh i hapur do të thotë që të bësh kompromis dhe jo vetëm të protestosh.
A do të ishte zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme një zgjidhje përfundimtare e krizës politike që po zgjat prej gati 20 muajsh në Shqipëri, zonja Pack?
Kjo do të varej nga përfundimi i tyre. Nëse ato përfundojnë me rezultatin e fitores së socialistëve, atëherë ata do të kenë arritur atë çka duan, por në këtë moment situata do të ishte e tillë ku opozita e përbërë nga partia demokratike dhe parti të tjera do të ngrinin pyetjen a mund te njihet kjo qeveri. Pra loja politike është shumë e keqe. Në demokraci duhet të pranosh që ke një shumicë apo që je në një pakicë. Kështu është për të gjithë në të gjithë vendet. Por kjo nuk i përshtatet politikanëve në Shqipëri që nuk kanë sens demokratik. Kush e ka pushtetin do ta ushtrojë atë dhe të tjerë dëshirojnë që ai të mos e ushtrojë pushtetin. Kjo është një lojë e tmerrshme dhe në qoftë se të dyja palët nuk i japin fund sa më shpejt kësaj, do të jetë shumë e errët e ardhmja e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ne presim që politikanët në këtë vend të flasin me njëri-tjetrin, që të zgjidhin me njëri-tjetrin problemet dhe jo vetëm me kokëfortësi dëshirojnë vetëm të protestojnë dhe me protesta duan të rrëzojnë qeverinë, një qeveri që është legjitime në punë dhe duhet të vazhdojë punën. Protestat mund të bëhen kundër projektligjeve të veçanta, por jo kundër një qeverie që është në detyrë për të cilën nuk mund të thuash që e ka këtë detyrë në mënyrë të paligjshme.