English

Edi Rama: Sali, ruaj qetësinë

Tiranë, 20 janar 2011, NOA - Nëse ka ndonjë faktor, që duhet të ruajë qetësinë sot, nesër, pasnesër dhe deri kur të mbarojë ballafaqimi i popullit me pushtetin e kusarisë e të matrapazllëkut, është qeveria e votave të vjedhura, e pronave të vjedhura, e lekëve të vjedhura, e Kushtetutës së vjedhur, e parlamentit të vjedhur, e institucioneve të vjedhura, e drejtësisë së vjedhur, e lirisë së vjedhur.... Edhe sa kohë populli do të na dëgjojë ne, në kushtet kur qeveria nuk e dëgjon zërin e popullit të vet? Përkundrazi e vjedh atë përditë dhe i thotë përditë se do të jetë i lumtur. Kjo pikëpyetje mund të zhduket sa hap e mbyll sytë me mjetet e politikës, të cilat fatkeqësisht deri sot Saliu i ka hedhur tutje...

Nga Edi Rama

Duke parë ekzagjerimin e përditshëm në fjalorin e Saliut, ministrave, po edhe të ish-zëvendëskryeministrit, që i rri ngjitur Saliut si Meta këpucës, kupton lehtësisht se çfarë lepuri të madh ka rritur frika nga populli në barkun e kësaj qeverie kusarësh e matrapazësh. Frika natyrale e hajdutit të zënë me presh në duar që bërtet, shqelmon, vret.

Së fundmi u shfaq edhe Ministri i Mbrojtjes, i cili është i fundit që në fakt duhet të dilte para qytetarëve për të përsëritur avazin në fjalë, sepse, nga njëra anë Shqipëria nuk kërcënohet nga ndonjë pushtim a nga ndonjë kryengritje e armatosur për përmbysjen e rendit demokratik dhe nga ana tjetër s’e merr dot seriozisht as roja e ministrisë së mbrojtjes këtë Arben Imamin, që dje doli mbi tank kundër Saliut kurse sot del si krisëm nga të ndenjurat e Saliut.

Gjithsesi prandaj edhe bëhet demonstrata e nesërme, që qeveria të mos bërtasë nga frika, të mos shqelmojë nga halli se është zënë duke vjedhur, të mos vrasë më tej ëndrrat, shpresa e kohë shqiptare por të largohet. Të dorëhiqet e të pranojë zgjedhjet e reja si të vetmen rrugëdalje nga një krizë e rëndë që se ka shkaktuar opozita por qeveria, e që s’ka pse e paguan populli duke vazhduar të mbajë në kurriz një tufë kusarësh e matrapazësh që i ka parë e dëgjuar, me sytë e veshët e vet, duke vjedhur e pastaj duke gënjyer derrçe për montazhe e komplote inekzistente.

Çfarë kërkon populli? Të mos vidhet e gënjehet më kështu, kaq rëndë, kaq ultësisht e egërsisht, sy për sy dhe ata që jo vetëm e vodhën po dhe e gënjyen si askund në botën demokratike të largohen duke pranuar zgjedhjet e reja si një mundësi e re për popullin që të gjykojë atë që ka ndodhur dhe të zgjedhë ata që populli kërkon ta qeverisin më tutje.

Çfarë kërkon opozita?

Vetëm atë që kërkon populli, asgjë më shumë. Përmes demonstratave ne nuk kërkojmë as përmbysjen e pushtetit me dhunë as marrjen e pushtetit pa zgjedhje. Ne kërkojmë thjeshtë e vetëm largimin e kësaj qeverie, rikthimin e gjendjes demokratike në parlament, garantimin e votës së qytetarëve dhe zgjedhjet e reja ku të fitojnë ata që populli zgjedh dhe jo ata që nuk e lënë popullin të zgjedhë.

Atëherë ku është problemi për gjithë këto abuzime e kërcënime me këtë të vërtetë të thjeshtë?

Ç’janë këto banda kriminelësh që po organizoka opozita për nesër, siç po qelb ekranet Meta ngjitur pas këpucës së Saliut?

Ç’janë ato broçkulla që vazhdon nxjerr nga goja Saliu, si të ishte ende e hënë në parlament duke sokëllyer si mes Sokakut të të marrëve kundër opozitës dhe bërë të fortin me ca përbetime qesharake?

Ç’janë këto emisione të posaçme me forca speciale që jep Televizioni i Pushtetit dy ditë para protestës?

Nëse ka ndonjë faktorë që duhet të ruajë qetësinë sot, nesër, pasnesër dhe deri kur të mbarojë ballafaqimi i popullit me pushtetin e kusarisë e të matrapazllëkut, është qeveria e votave të vjedhura, e pronave të vjedhura, e lekëve të vjedhura, e Kushtetutës së vjedhur, e parlamentit të vjedhur, e institucioneve të vjedhura, e drejtësisë së vjedhur, e lirisë së vjedhur....

Qetësinë ta ruajë Saliu, ta ruajnë ministrat në detyrë, ta ruajë Policia e Shtetit dhe strukturat të saj, Meta le të mos e ruajë se nuk ka faj, as ne s’ja kërkojmë dot me tërë atë dhimbje koke që e ka zënë. Ta ruajnë qetësinë ata që kanë llogari për të dhënë, sepse vetëm ata mund ta provokojnë popullin që kërkon llogari, siç po e provokojnë përditë duke i thënë, “ Qorr, shurdh, budalla!”, ti kujton se na sheh duke vjedhur, është montazh, ti kujton se na dëgjon duke marrë male me lekë, është komplot, ti kujton se ne kështu bëjmë përditë, e ka fajin opozita!

Llogarinë populli e kërkon sot ende përmes nesh, përmes opozitës, e përsa kohë ndodh kështu nuk ka as dhunë, as trazira, as shkatërrime, po ka demostrim popullor të vullnetit të Sovranit për t’i hapur rrugë gjykimit të vetë me zgjedhje të reja, duke kërkuar largimin e qeverisë.

Kjo që po them është një e vërtetë e thjeshtë, historike dhe gjithnjë aktuale aty ku demokracia merret peng, vota vidhet dhe populli tallet e poshtërohet nga qeveria që vjedh e nuk ndalet.

Kjo që po them nuk duhet marrë as si kërcënim e as si thirrje për dhunë, po si alarm që duhet dëgjuar nga të gjithë, për të mos lejuar që mes qeverisë që vjedh e popullit që vidhet të mos mbetet më asgjë për shkak të defaktorizimit të opozitës politike.

Kjo që po them do të thotë se opozita jonë nuk mund të jetë dot dhe për shumë kohë, flas me javë jo me muaj e vite tani më, diga që ruan qeverinë nga përmbytja e pashmangshme e zemërimit popullor në kushtet kur qeveria nuk ka sy e vesh, po vetëm gojë për të provokuar popullin e vet siç po ndodh këto ditë.

Për sa kohë ne do të dëgjohemi, ne do të përsërisim atë që kemi thënë dhe do të bëjmë atë që kemi bërë, nuk besojmë tek dhuna dhe nuk nxisim e as pranojmë asnjë formë dhune. Por sot ka një pikëpyetje të madhe që rritet si një re e zezë mbi të gjithë politikën shqiptare: Edhe sa kohë populli do të na dëgjojë ne, në kushtet kur qeveria nuk e dëgjon zërin e popullit të vet? Përkundrazi e vjedh atë përditë dhe i thotë përditë se do të jetë i lumtur.

Kjo pikëpyetje mund të zhduket sa hap e mbyll sytë me mjetet e politikës, të cilat fatkeqësisht deri sot Saliu i ka hedhur tutje, duke zgjedhur rrugën e forcës jo atë të arsyes dhe duke kujtuar gabimisht se mund të sundojë pa alternativë, mund të qeverisë pa respektuar Kushtetutën, mund të diktojë pa lejuar institucionet të mbijetojnë pavarësisht prej tij, mund ta dhunojë parlamentin deri në zhvleftësimin total dhe opozitën deri në defaktorizim të plotë, mund të varrosë të vërtetën e zgjedhjeve të shkuara me flakë e me burg dhe të bëjë të njëjtën gjë me zgjedhjet e ardhshme.

Nuk është opozita që duhet ta zgjidhë këtë krizë, që nuk e ka shkaktuar opozita, por është qeveria, Saliu, që duhet të vënë në tryezë dorëheqjen për të filluar me dialog e kompromis politik shërimin e plagëve që kjo krizë po thellon e do thellojë përditë deri në përmasa të paparashikueshme nëse nuk do ti jepet fjala Sovranit për tu shprehur me votën e lirë.

*Deklarata e plotë e Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama

KOMENTE