Dajç, 20 janar, NOA - Drejtues të Fondacionit “Shoqëria e Hapur” për Shqipërinë dhe të Kryqit të Kuq Shqiptar, morën pjesë në turin e dytë të shpërndarjes së ndihmave në komunën e Dajçit të rrethit të Shkodrës, një nga komunat që u prek më shumë nga përmbytjet e fundvitit.
Turi i parë i shpërndarjes së ndihmave nisi në fillim të këtij viti në fshatrat Mushan dhe Rrushkull të kësaj komune.
Në pakon e ndihmave për çdo familje bënin pjesë 5 litra vaj, 5 kg. sheqer, 5 kg. oriz, 5 kg fasule, 25 kg miell, 10 litra ujë, 4 batanije dhe një set pakete higjenike.
Kurse turi i dytë i shpërndarjes së ndihmave u bë më 19 janar 2011 në fshatin Mushan të komunës së Dajçit ku përfituan rreth 120 familje.
Ndihma në ushqime dhe artikuj higjenikë kanë përfituar edhe 158 familje rome, të strehuar përkohësisht në repartin ushtarak në fshatin Renz, të cilat ishin në gjendje të vështirë jetese dhe u dëmtuan më shumë nga përmbytjet e fundit.
Shpërndarja e ndihmave bëhet në kuadër të një fondi prej 100 mijë dollarësh që Fondacioni “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” i akordoi Kryqit të Kuq Shqiptar në ndihmë të familjeve të përmbytura në qarkun e Shkodrës.
Ky fond do të përdoret për të mbështetur 1000 familje për nevojat bazë të tyre.
Kryqi i Kuq Shqiptar, në bashkëpunim me prefekturën dhe zyrën e emergjencës civile, ka bërë një studim të detajuar për fshatrat dhe familjet më të prekura, ndaj të cilave do të vazhdojë t’i ndihmojë me ushqime, medikamente dhe sende higjenikë.
Po dje fakulteti i Gjuhëve të Huaja të universitetit “L. Gurakuqi”, me nxitjen e strukturave të Kryqit të Kuq të Shkodrës, nisi fushatën e dhurimit të gjakut.
Drejtuesit Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) dhe të Kryqit të Kuq Shqiptar bënë një takim edhe me prefektin e Shkodrës, Maxhid Cungu me synimin për të kordinuar më mirë procesit e shpërndarjes së ndihmave emergjente.
a.k/NOA