Bolonja, 20 janar, NOA – Si rezultat i bashkëpunimit të “Interpol Tirana” me “Interpol Romën”, ditën e djeshme në Bolonja të Italisë, është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë 34-vjeçari Edmond Sina, i lindur në Tiranë.
Siç konfirmohet për agjencinë e Lajmeve NOA nga burime policore të Tiranës, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me një vendim të marrë para dy ditësh, e ka dënuar këtë person me 10 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “Vjedhjes me armë në bashkëpunim” parashikuar nga neni 140 dhe 25 i Kodit Penal.
Kjo pasi Edmond Sina, më datën 21.04.1998, rreth orës 21:00’, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në vendin e quajtur Fabrika e Tullave nr.3, Tiranë, i ka vjedhur me armë mjetin tip furgon një personi.
Pasi kanë qëlluar në ajër, këta dy persona kanë detyruar pasagjerët që ndodheshin brenda furgonit të zbresin, duke u larguar më pas me mjetin e vjedhur.
Për këtë arsye, ky person është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga “Interpol Tirana”.
n.e/NOA