English

Maqedoni, përpjekje për një qëndrim ndaj “Martit”

Shkup, 20 janar, NOA - Në Maqedoni po bëhen përpjekje që delegacioni i deputetëve në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës të ketë një qëndrim të përbashkët sa i përket raportit të Dick Martit.

Delegacioni ka tre anëtarë, Aleksandar Nikollovski i VMRO DPMNE-së, Ermira Mehmeti Devaja e BDI-së dhe Igor Ivanovski i LSDM-së. Përpjeka është që delegacioni i Maqedonisë të veprojë në përputhje me atë të Shqipërisë. Madje siç njoftohet po diskutohet që deputetët nga Shkupi të mbështesin edhe amandemente të caktuara nëse për një gjë të tillë do të ketë nevojë.

Deputetja Ermira Mehmeti për këtë arsye ka marrë pjesë edhe në takime më përfaqësues të Kosovës dhe Shqipërisë në Tiranë, që koordinimi të jetë më i mirë. Mehmeti thotë se koordinimi me kolegët e partive të tjera deri më tani po zhvillohet me një mirëkuptim të konsiderueshëm. Ajo thotë se do të ketë takime të vazhdueshme edhe në ditët në vijim.

Por burime të tjera sugjerojnë se për këtë çështje mund të bisedohet edhe në nivele më të larta mes liderëve partiakë.

Në Maqedoni raporti Martit, pati një jehonë të madhe. Media dhe subjektet shqiptare e dënuan atë në mënyrë të hapur, ato maqedonaset ishin më të përmbajtura.

Por vëzhguesit thonë se tani pas intervistës së Dick Martit ku siç thuhet ai “ka zbutur” ose shpreh një lloj “tërheqjeje” nga akuzat përkrahja nga subjektet maqedonase mund të jetë “më e lehtë”.

Aleksandar Nikollovski deputeti i VMRO DPMNE-së, në një proncim mediatik deklaroi se besonte se do të ndërtonin një qëndrim të përbashkët. Igor Ivanovski i LSDM-së është më i përmbajtur në konstatimet e tij.

a.k/NOA

KOMENTE