Tiranë, 20 janar 2011, NOA – Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, njëra nga partitë e vogla të koalicionit qeveritar e sheh si domosdoshmëri urgjente ndryshimin e Kodit Zgjedhor, i miratuar në 2008-ën me pëlqimin e PD-së dhe PS-së dhe sjelljen e tij në standartet e zgjedhjeve të 2007-ës, të cilat sipas Mediut ishin zgjedhjet e vetme për të cilat asnjë parti, e madhe apo e vogël nuk shprehu kontestime për rezultatin. Këtë kërkesë kreu i republikanëve e artikuloi gjatë takimit më përfaqësuesit e misionit të ODHIR, të cilat kanë mbërritur në Tiranë për tu njohur me përgatitjet për zgjedhjet vendore të 8 majit. Mediu ka argumentuar gjatë bisedës me misionin e vëzhguesve se ndryshimi i bërë nga PD dhe PS në kodin zgjedhor ka dëmtuar mjaft rëndë partitë e vogla, por sipas tij ka sjellë edhe një krisje të rëndë në jetën politike në vend. “Ndryshimet që erdhën në 2008-ën, vetëm krijojnë probleme dhe përplasje për përfaqësuesit komunalë dhe bashkiakë. Në këtë kontekst, lind si një nevojë e menjëhershme fillimi i punës për reformën zgjedhore, ku tashmë pozita dhe opozita duhet të lenë mënjanë mosmarrëveshjet dhe të ulen në një tryezë bashkëpunimi, së bashku edhe me grupet e tjera të vendimmarrjes politike në vend”, theksoi zoti Mediu. Kryetari i PR-së ngriti edhe shqetësimin në lidhje me kufizimin e numrit të vëzhguesve dhe numëruesve të votave, që Kodi Zgjedhor parashikon për partitë e vogla, ndryshe nga partitë e mëdha. Sipas mediut, kjo është një anomali e Kodit Zgjedhor, që diskriminon partitë e vogla, të cilat në këtë mënyrë nuk futen të barabarta në garë me partitë e mëdha. Gjithashtu Mediu, u ndal edhe në lidhje me financimin e partive gjatë fushatës elektorale, për të cilin sipas tij duhet të balancohen fondet për fushatë, pasi vënia në dispozicion fonde tepër të mëdha për dy partitë e mëdha, PS e PD krijon çrregullime sa i përket hyrjes si të barabartë në garën politike. Kreu i republikanëve duke biseduar me vëzhguesit e OSBE-ODHIR-it tha se duhet të merret në konsideratë edhe koha televizive, e cila është një tjetër element shqetësues për partitë e vogla shpesh herë edhe penalizues. mit/NOA