English

Mjedisi dhe bërthamori

Nga Sali Berisha

Çështjet e mjedisit janë e do të mbeten gjithnjë çështje e probleme kryesore për qeverinë dhe shtetin shqiptar. Asgjë nuk ka më të lidhur më shumë me jetën e qytetarëve shqiptarë, sesa mjedisi. Mbrojtja e zhvillimi i tij janë objektiva madhorë konstantë të qeverisë shqiptare. Në këtë kontekst, kuadri ligjor që garanton si mbrojtjen në standardet më të mira, por edhe zhvillimin e tij të pandërprerë përbën një arritje të madhe dhe pozitive. Siç është në rregullin dhe vendimet e kësaj qeverie që çdo ligj, i cili ka të bëjë me tregun, duhet të kalojë në Task Force, edhe projektligjet e sjella nga Ministria e Mjedisit që kanë një konsultë të gjerë kombëtare e ndërkombëtare vijnë sot këtu pas një shqyrtimi të parë që i kemi bërë disa kohë më parë dhe pasi janë rishqyrtuar e rivlerësuar edhe nga Ministria, me Qendrën Kombëtare të Lejeve dhe Licencave dhe faktorë të tjerë, për të marrë miratimin përfundimtar, për t’ia kaluar Këshillit të Ministrave.

Këto ligje respektojnë e duhet të respektojnë të gjitha arritjet e vendit në fushën e licencimit dhe lejeve. Ndaj ekziston mendimi i përgjithshëm që sportel për të gjitha këto duhet të jetë Qendra Kombëtare e Lejeve dhe Licencave, hap ky i domosdoshëm për të rritur transparencën e procesit. Unë e kuptoj se disa nga lejet apo vlerësimet mjedisore janë një proces i ndërlikuar, shumë anësor që kërkon studime të thelluara, ekspertiza të shkallës më të lartë dhe kohën e nevojshme, por unë gjykoj se kjo nuk është asnjëherë një motiv që sporteli i parë të mos jetë Qendra Kombëtare e Lejeve dhe Licencave. Ne kemi vendosur dhe kemi bërë mirë që këtu të adresojmë të gjithë ata që investojnë në energji, miniera, këto pazgjidhshmërisht të lidhura me mjedisin. Kjo reformë është një nga reformat më të rëndësishme që ne kemi realizuar në lehtësimin e biznesit dhe njëkohësisht luftën kundër korrupsionit. E theksoj edhe një herë se në çdo procedurë qëllimi ynë i prerë duhet të jetë lufta kundër korrupsionit dhe kjo luftë bëhet mbi të gjitha e para së gjithash me transparencë, me procedura. Ndaj të shqyrtojmë problematikat e adresimit të lejeve mjedisore në Qendrën Kombëtare të Lejeve dhe Licencave si sportel hyrës. Sigurisht Qendra, si edhe në rastet e tjera, vepron me Agjencitë respektive, duke mos u marrë kompetenca, por duke shërbyer njëkohësisht si një garanci shtesë e afateve, kushteve e rrethanave, në të cilat duhet të lëshohet leja apo vendimi.

Qendra Kombëtare e Lejeve dhe Licencave ka dy parime: transparencën dhe kohën sa më të shkurtër të mundshme. Ne nuk duhet të kemi asnjë hezitim për të rendur pas kohës më të shkurtë të mundshme, gjithnjë e theksoj të mundshme. Ne jemi një vend i vogël, me një administratë të vogël, po ecim drejt dixhitalizimit dhe kemi vërtet mundësi të plota të shkurtojmë afatet. Kur para tre vitesh, kemi diskutuar për herë të parë për Qendrën Kombëtare të Lejeve dhe Licencave, ka qenë thjesht vullnet politik se skepticizmi ka ekzistuar dhe me të drejtë, jo i pabazuar, pasi në shumë vende ato nuk kishin dhënë rezultat. Por ne u nisëm pikërisht nga kjo, se ne jemi vend i vogël, jemi larg të qenit një administratë e përsosur, por prapë nuk jemi një burokraci e rëndë, e ndërtuar me shumë e shumë kate, ku shkresa mezi kalon nga një kat në tjetrin. Edhe ne kemi disa avantazhe me administratën e vogël, që shkurton afatet, shkurton kohën.

Është bërë një studim i thelluar midis Qendrës Kombëtare të Lejeve dhe Licencave dhe ministrisë, në frymën e shkurtimit maksimal të mundshëm të afateve. Doja të kërkoja mirëkuptimin e ekspertëve, në kuptimin se nuk mund të marrim të veçantën si normë për të përgjithshme. Unë e kuptoj që një central bërthamor duhet të kërkojë një kohë relativisht të gjatë studimesh të gjithanshme që Ministria e Mjedisit të shprehet për po ose jo për ndërtimin e tij. Kjo është normale, pasi këto janë studime komplekse. Pavarësisht vullnetit që unë mund të kem, ato do të duan të gjithë kohën e duhur. Por central bërthamore ky vend do të ndërtojë një. Atë ne e lëmë në rastin e veçantë dhe nuk bëjmë që kohëzgjatja e tij të pasqyrohet mbi të gjithë procedurat e tjera. Nuk ka asgjë më të papranueshme se zvarritje burokratike.

KOMENTE