English

Ngjela: Na duhet kryeministër, jo “mbret”

Tiranë, 20 janar 2011, NOA Update – Kryetari i Partisë për “Ligj dhe Drejtësi”, Spartak Ngjela në emër të opozitës së bashkuar deklaroi një ditë para demonstratës së 21 janarit se shqiptarët do të tubohen që të protestojnë ndaj abuzimit dhe korrupsionit që ka kapur shtetin dhe demokracinë, i cili sipas avokat Ngjelës mund të largohet vetëm me demonstrata masive. “Pse dalin shqiptarët nesër? Shikojeni nesër me vëmendje. Gjithë monitorët ndërkombëtarë deklarojnë unanimisht për abuzim dhe korrupsion gjigand. Të gjithë shqiptarët e dinë që janë manipuluar zgjedhjet dhe qeveria është e paligjshme”, theksoi Ngjela.

Avokati në emër të Opozitës së Bashkuar deklaroi se shqiptarë e të huaj, emigrantë shqiptarë vërtetuan se kryeministri Berisha është i çmendur, pasi panë sipas shfaqjen e paprecedentë të para tri ditëve në parlament.

“Nuk ka kryeministër në botë që flet ashtu në parlament dhe nuk ka parlament që duron një tiran të tillë. Kjo është arsyeja që dalin nesër shqiptarët për të zgjidhur çështjen dhe jo ato që thotë banda në pushtet, se do vijnë bandat e rrugëve. Jo, nesër shqiptarët do rrëzojnë bandën që është në krye, që ka provuar se zëvendës kryeministri bën afera që nuk i bën asnjë matrapaz rrugësh, që kryeministri bërtet në parlament në një fazë çmendurie që mund ta ketë zili çdo çmendinë e botës dhe që shqiptarët varfërohen dita ditës”, tha avokat Ngjela.

Sipas tij opozita nuk ka thirrur banda në demonstratëne e nesërme, pasi ajo mbështet popullin për të sjellë demokracinë liberale.

Ngjela theksoi se shqiptarëve u duhet një kryeministër që të mos jetë mbret midis njerëzve, por njeri midis njerëzve, një çështje që kjo shoqëri duhet ta ndryshojë përfundimisht në datën 21 janar.

“Opozita e Bashkuar është me popullin, kurrë nuk do e tradhtojë e do jetë me ta nesër deri sa të zgjidhet kjo çështje. Të tërhiqet qeveria, të caktohet një datë zgjedhjesh të lira e të ndershme, të japë menjëherë dorëheqjen KQZ dhe të fillojë reforma e thellë zgjedhore me ligjin përkatës. Të tëra këto në një vend që s’ka pushtet gjyqësor të pavarur, siç thotë i gjithë monitorizmi ndërkombëtarë, është vetëm populli që e zgjidhë, nesër do ta shikojmë”, përfundoi deklaratën e tij, përfaqësuesi i Opozitës së Bashkuar, Spartak Ngjela.

mit/NOA

KOMENTE