English

Ngjela: Të ikë qeveria, kryeministri është i çmendur

Tiranë, 20 janar, NOA – Në emër të Opozitës së Bashkuar, kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela kërkoi sot largimin e qeverisë dhe caktimin e një date për zgjedhjet e parakohshme.

“Përballë një korrupsioni të madh demokracia nuk njeh asnjë mënyrë tjetër përveç protestave masive”, tha Ngjela, ai shtoi se shqiptarët panë se kryeministri “është i çmendur”.

Në një deklaratë për mediat, Ngjela tha se nesër është afati i fundit i mazhorancës aktuale dhe reflektimi i saj duhet të nis që sot. Ai hodhi poshtë zërat se në demonstratë do të ketë dhunë. Ngjela tha se opozita do të jetë në krah të popullit.

“Nesër është dita e popullit, pasi ai nuk mund të gënjehet më. Opozita do të jetë në krah të popullit për të sjellë demokracinë. Qeveria duhet të tërhiqet dhe të caktohet një datë për zgjedhje të parakohshme”, tha Ngjela.

Duke folur për akuzat e mazhorancës në lidhje me demonstratën, Ngjela u shpreh se “edhe në Budapest dhe Tiranë kur janë ngritur kundër tiranisë, banda e kanë quajtur opozitën”, tha ai.

a.k/NOA

KOMENTE