Tiranë, 20 Janar, NOA - Gazetat shqiptare janë të mbushura kryesisht me artikuj që citojnë deklaratat e djeshme të kryeministrit Berisha dhe nga ana tjetër ato të ish-zv/kryeministrit Meta, kundër kryesocialistit Rama.
Një tjetër argument i trajtuar gjerësisht në media është edhe ai i demonstratës së paralajmëruar të PS-së si edhe shtimit të kuotave për specializime te fakulteti i Mjekësisë.
E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Berisha: Greva e urisë, grevë orgjie”, i cili paraqet deklaratat e bëra dje nga kryeministri Berisha në ceremoninë e 20-vjetorit të krijimit të degës së Partisë Demokratike në Berat.
“Çfarë shkruhet në median italiane për takimet Berisha-Berluskoni”, është një artikull tjetër i kësaj gazete, referuar pakteve për plehrat dhe centralin atomik.
“Specializimet e Mjekësisë, shtohen 161 kuota” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.
E përditshmja “Panorama” ka si argument kryesor titullin “Vendimi i qeverisë/ Zhbllokohen pagat për mësuesit dhe mjekët”, i cili flet për vendimin e djeshëm të Këshillit të Ministrave.
“PS plan për paralizimin e KQZ-së me bojkot, PD merr shumicën e KZAZ-ve në Tiranë”, është një tjetër artikull i gazetës.
Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Pranoi vrasjen e vëllait, gjykata liron motrën e të burgosurit”; “Pensionet, Ksera: 5% në qytet, 10% në fshat”; “Specializimet e Mjekësisë, shtohen 146 kuota të reja” etj.
“Gazeta Shqiptare” ka si artikull kryesor “Akuza ndaj Priftit/ Biznesmeni: Ish-ministri më kërkoi 100 milionë lekë”, i cila citon deklaratat e bëra dje Astrit Banushaj, drejtor në METE kundrejt ish-ministrit të Ekonomisë.
“Foto Tranzicioni/ Deputetët e PD me Alimuçën e VEFA-s në 1997” është një artikull tjetër i kësaj gazete, referuar fotove të largëta të vitit 1997.
Kurse “Shqipëria kundër Dik Martit/ Zulohet Drafti”, flet për një draft të parlamentit shqiptar me amendamentet përkatëse, që do i shkojë Këshillit të Evropës.
E përditshmja “Shqip” hapet me titullin kryesor “Dritëroi: Skandal do të thotë Kuvend”, i cili tregon një intervistë të dhënë nga figura e njohur e socialistëve, Dritëro Agolli.
“Eksperti Dritan Zoto: Pamjet te Fiksi nuk janë të trukuara” është një tjetër artikull kryesor i kësaj gazete, i cili citon një ekspert të pavarur të flasë për videon Meta-Prifti.
Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Berisha: Nuk i hap rrugë Ramës, të ngrejë edhe Kristaqin nga varri”, “Shëndetësi dhe arsim, tërhiqen sot rrogat e pavarura” etj.
E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin “Meta: Edi Rama deklaratë skandaloze në emër të popullit ”, i cili pasqyron deklaratat e djeshme të kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Demonstrata, PS fletushka derë më derë qytetarëve”.
Një tjetër artikull i kësaj gazete është ai me titull “Berisha: Nuk dorëzohemi nga kërcënimet e Ramës”.
Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Enjte, 20 Janar 2011. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht. Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: indo@noa.al.