Tiranë, 20 janar, NOA – Partia Demokratike ka akuzuar sot drejtorin e emisionit “Fiks Fare”, Filip Çakulli, se gjatë kohës së diktuarës me dëshmitë që ka dhënë në hetuesi ka dënuar me 8 vite burg personin Fatbardh Kupi.
“Jam sot këtu para jush për tu dëshmuar shqiptarëve faktin se Çakalli i Edi Ramës, që transmetoi videon e montuar kundër Kryeministrit të vendit, vazhdon veprimtarinë e tij kriminale 30 vjeçare, të agjentit të Sigurimit të Shtetit Shqiptar. Ky Çakall, vite më parë, me akuzën e tij do bënte që gjimnazisti Fatbardh Kupi të dënohej nga ekspertiza letrare e Çakallit, me 8 vjet burg për hartimin e tij në gjimnaz, me titull “Gëzuar Vitin e Ri”, tha sot për mediat deputeti i PD-së, Gerti Bogdani.
Ai tha se Kupi, i cili është pasardhës i Abaz Kupit u dënua sepse shkroi fjalët “dimri do të marr tatëpjetën, me një stuhi të re, se shpirti im që lakmon përpara has pengesa, por gjen më në fund rrugën dhe arrin qëllime të nalta.”
“Eksperti i atëhershëm, Çakalli i sotëm i Edvin Rames, Filip Çakuli, shërben si dëshmitar kryesor për dënimin e Fatbardh Kupit. Në ekspertizën e tij ky xhelat i të rinjve shqiptar shkruan se “besimi është kauza për të cilën ka shërbyer dhe i ka kushtuar jetën, kurse dimri që do të marrë të tatëpjetën në stuhi të re, është pushteti popullor, i cili është dhe pengesa për të që të arrijë qëllime te larta”, tha Bogdani.
Sipas Bogdanit, ky “fakt i radhës dëshmon se krye çimka, në krye të PS nxjerr nga gjirizet e analeve të Sigurimit të Shtetit, çakej për të krijuar prova të rreme ndaj Kryeministrit të vendit dhe përdor sot “Top Channel” si hanxhar krimi, njëlloj si dikur bënte ekspertizën për Sigurimin e Shtetit”.
a.k/NOA