English

Rama: Ja ç’bisedova me Priftin për përgjimin

Tiranë, 20 Janar 2011 NOA– Për herë të parë kreu i PS-së ka folur për takimin e tij me Dritan Priftin pas largimit nga detyra si ministër i Ekonomisë dhe bisedën që ka bërë për materialet që kishte kundër Berishës dhe Metës.

Rama u shpreh sonte se ai dhe kreu i grupit parlamentar të PS-së i kanë siguruar mbështetje për, nëse materialet që dispononte ishin të sakta. Rama ka theksuar se Prifti i ka kërkuar garanci për jetën e tij dhe për familjen.

“Prifti më kërkoi mua një takim me kreun grupit të PS ku na ka informuar për arsyet se përse nuk e shihte më vetën në kampin e qeverisë dhe njëkohësisht për vullnetin që të nisë një beteje për të bërë transparente, ato ç’ka ai na tha se dispononte, pa na dhënë detaje, por duke na vënë në dukje vendosmërinë në një betejë, që gjithmonë sipas tij e konsideronte shumë të rrezikshme për familjen dhe për sigurinë e jetës së tij dhe familjes së tij”, tha Rama në emisionin “Top-Story”.

Rama tha se e ka inkurajuar Priftin që të bënte publik materialet, por pa dhënë detaje se kur ishte bërë takimi.

“Ne e kemi dëgjuar, e kemi inkurajuar duke i shprehur mbështetje për një betejë të tillë, në raste se ato që na thoshte ishin të vërteta dhe nëse ai do i ballafaqonte me opinionin publik”, tha Rama.

Kreu i PS-së ka folur dhe për akuzat që i ka bërë më parë tan Prifti duke e përgëzuar atë vetëm për përgjimin e bisedës me ish-zëvendëskryeministrin Ilir Meta.

“As deklaratat e shkuara, tërësisht politike, në kuadrin e një kulture të caktuar politike, që do e quaja kultura e LSI-së dhe në kushtet e një rreshtimi, siç ishte ai ku bëheshin deklaratat dhe as komplimentet e sotme nuk kanë asnjë lloj rëndësie, ndërkohë që jemi përpara një fakti dhe një procesi të iniciuar nga Prifti që meriton, pa asnjë rezervë përgëzim. Është një proces i cili ndihmon shoqërinë të kuptojë shumë çka mund të jetë më vështirë për tu kuptuar në batakun ku e ka zhytur politikën Sali Berisha”, tha Rama.

Në lidhje me akuzat që i ka bërë më parë PS-ja Priftit për pasurinë, Rama u shpreh se kjo tashmë është çështje e drejtësisë, dhe se “ne nuk do t’i ndjekim njerëzit deri prapa diellit”.

Ndërkohë, Rama sonte premtoi se “nuk janë qëllimet e mia politike që më nxjerrin në demonstratë. Këtë duhet ta besoni siç e them; nuk duam pushtetin duke shfrytëzuar zemërimin e popullit. Dalim në demonstratë si pjesë e një shoqërie që vidhet dhe të tallet nga pushteti si të ishte budalla”, tha Rama.

I pyetur se a do të pranonte një pushtet të “dhuruar” në këtë mënyrë nga populli Rama u shpreh se një skenar i tillë nuk do ti pëlqente.

“Frytet opozitës nga populli janë të hidhura sepse kanë një faturë shumë të lartë dhe që çdo burrë shtetit ja shmang duke kërkuar zgjidhje përmes politikës”, tha Rama.

Rama u ndal dhe në akuzat për videon duke thënë se “nëse ajo ishte montazh, jo vetëm që nuk kishte vend për dorëheqjen, por ishte vendi për të reaguar me gjithë forcën kundër manipulimit”.

Duke folur dhe një herë për përdorimin e dhunës, Rama tha se “me zë dhe me figurë PS-ja e ka refuzuar diçka të tillë”.

Ndërsa nuk është shprehur optimist për një zgjidhje politike në parlament. “Parlamenti ka marrë fund, është marrë peng. Është ai kryeministër në atë parlament që provokon popullin në kushte kur populli mund të reagojë dhe të dalë jashtë kontrollit”, tha Rama.

Gjatë intervistës sonte, Rama duke folur në lidhje me zhvillimet politike dhe demonstratën e nesërme. tha edhe se “Shqipëria sot është në teh sepse rrezikon të rrëshqasë në një situatë të pakontrollueshme, për shkak se këta njerëz që qeverisin me vota t vjedhura nuk kanë sy për të parë se janë në buzë të humnerës”.

Në emisionin “Top-Story”, Edi Rama tha se dhuna nuk është alternative dhe nuk është mënyra sesi i shohin socialistët gjërat. Por nga ana tjetër ai ka thënë se qytetarët presin që PS-ja të reagojë dhe të mos defaktorizohet.

“Pas publikimit të videos jam mësyrë nga mesazhe dhe telefonata, jo vetëm nga anëtarë të PS, por edhe të asaj që quhet për traditë shoqëri civile. Dhe ajo që kam dëgjuar ka qenë se; nëse edhe këtë herë opozita nuk bën atë që duhet, le të pranojmë që nuk kemi a opozitë”, tha Rama.

Kreu i PS-së u shpreh se nëse nuk ka reagim publik, “rrezikojmë të defaktorizohemi si barriera e fundit që populli ka për tu mbrojtur nga barriera e pushtetit”.

Rama u shpreh se aktualisht të gjitha institucionet kanë rënë, përfshirë dhe drejtësinë.

“Të gjitha institucionet kanë rënë, duke filluar nga zgjedhjet dhe duke përfunduar te drejtësia dhe opozita ka mbetur e fundmja gjë që ekziston midis një regjimi kusarësh .

Opozita mbetet dhe mburoja e fundit që qeveria ka përballë popullit gjithnjë e më zemëruar”, tha Rama.

a.k/NOA

KOMENTE