Tiranë, 20 janar 2011, NOA – Një ditë përpara demonstratës së opozitës në Tiranë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara nxit shqiptarët që të protestojnë në mënyrë paqësore dhe konstruktive. Duke mbështetur plotësisht të drejtën për lirinë e shprehjes dhe grumbullimit për të gjithë popullin e Shqipërisë, Ambasada Amerikane në Tiranë në një deklaratë për shtyp thekson se në një shoqëri demokratike është mjaft i rëndësishëm respektimi i institucioneve, sundimit të ligjit, dhe të drejtave të të tjerëve, shprehje të cilat sipas saj duhet të zbatohen gjatë të gjitha tubimeve e demonstratave. Kjo deklaratë e Ambasadës së SHBA-ve vjen në një moment kur sipas zyrtarëve të SHBA-ve në Tiranë, retorika dhe gjuha e disa udhëheqësve politikë ditët e fundit ka marrë një ton që sugjeron mbështetje për akte çrregulluese dhe të dëmshme e sjellje të papërshtatshme. “Kjo gjuhë është e papranueshme”, theksohet në njoftimin e Ambasadës Amerikane. “Përdorimi i retorikës provokuese dhe sugjerimi apo tolerimi i ndonjë forme dhune është në dëm të popullit të Shqipërisë. Populli shqiptar meriton më mirë se kaq. Ai ka punuar me seriozitet dhe durim drejt përmbushjes së reformave për të cilat ka nevojë urgjente dhe përparimin e vendit të tyre e përmbushjen e aspiratave të tyre demokratike”, shkruhet më tej në deklaratë. Në këtë kontekst Ambasada Amerikane vlerëson sjelljen profesionale që policia e shtetit ka ushtruar në mënyrë konseguente në përmbushje të përgjegjësive të tyre gjatë demonstratave të kaluara. Ambasada e SHBA-ve pret nga forcat e rendit që i njëjti nivel profesionalizmi të demonstrohet edhe në protestën e planifikuar të opozitës, për ditën e premte, më 21 janar. mit/NOA