English

Berisha: Edi Rama do të mbajë përgjegjësi

Tiranë, 21 Janar 2011 NOA Update – Edi Rama do të mbajë përgjegjësi shumëplanëshe për atë që bëri, ishte paralajmërimi i para pak çasteve i kryeministrit Sali Berisha lidhur me pasojat e demonstratës së sotme ku të paktën tre persona gjetën vdekjen dhe rreth 81 të tjerë mbetën të plagosur në shkallë të ndryshme.

Grupe terroriste të udhëhequr nga Edi Rama tentuan të marrin pushtetin me dhunë, deklaroi Kryeministri Sali Berisha në këto momente në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp në selinë e Kryeministrisë që deri para pak orësh ishte e rrethuar nga demonstrues, një pjesë e të cilëve të dhunshëm.

Kryeministri paralajmëroi se do të mbajnë përgjegjësi të plotë ligjore të gjithë ata që shkaktuan këtë ngjarje të rëndë dhe këtu Berisha përfshiu demonstruesit e dhunshëm dhe organizatorët që tha se ndër ta ishin Edi Rama, Gramoz Ruçi dhe Skënder Gjinushi.

Berisha tha se njerëzit panë sot fytyrën e vërtetë, të Edvin Kristaq Ramës, ish-ministrin e masakrës së 2 Prillit 1991, Gramoz Ruçi, ish ministrin e diktaturës Skënder Gjinushi, në një përpjekje për të marrë pushtetin me dhunë, duke angazhuar banditë, trafikantë dhe njerëz të tjerë të dhunshëm.

Berisha tha më tej se këta bastardë, parashikuan për qytetarët e Shqipërisë, skenarin e deklaruar për ditë me radhë.

“Për orë të tëra, Edi Rama drejtoi nga kullat binjake, fallangat e krimit, grupe trafikantësh e terroristësh, në tërësinë e tyre jo më shumë se 200-300 vetë sepse s’mund të konfondojmë ata qytetarë që u përmbajtën dhe nuk i lejuan vetes të implikohen me dhunë”.

“Ata u përpoqën t’i vënë zjarrin Kryeministrisë dhe të vendosnin pushtetin me dhunë. Duhej me çdo kusht të merrej Parlamenti, Kryeministri, Ministritë”.

“Në këto përleshje kanë humbur jetën 3 qytetarë, janë plagosur dhjetëra qytetarë dhe punonjës policie.

Këtu Berisha theksoi se përgjegjësia e plotë bie mbi organizatorët. Kurse më tej shtoi:

“Duke shprehur ngushëllimet e sinqerta familjarëve të viktimave theksoj se të dhënat paraprake flasin se secili prej tyre është qëlluar nga afër me armë të cilat rezultojnë pistoleta të lehta të cilat nuk gjenden në armatimin e Policisë së Shtetit.

Por i kërkoj prokurorisë të zbardhë sa më shpejt të vërtetën e kësaj ngjarjeje.

“Shpreh mirënjohjen për shkallën më të lartë të profesionalizmit, gjakftohtësisë që bënë që të dështojë skenari puçist i trojkës Rama-Ruçi-Gjinushi. Me profesionalizmin, kurajën e guximin e tyre, anëtarët e forcave të rendit, dëshmuan para shqiptarëve dhe mbarë botës se në këtë vend, funksionojnë ligji dhe shteti ligjor, institucionet demokratike të dalë nga zgjedhje të lira.

Më tej Berisha theksoi se kishte marrë këto orë shumë mesazhe dhe shumë njerëz i kishin shprehur gatishmërinë që të vinin në Tiranë për të mbrojtur institucionet.

“Kryeministri juaj ka qëndruar pas një dreke që pata me ambasadorë nga ora 14.30, e deri në këtë minutë, në zyrën dhe në detyrën e tij. Kanë qëndruar në zyrat e tyre, të gjithë drejtuesit e institucioneve.

“Unë dua t’i paralajmëroj banditët, bashibozukët, trafikantët, mos guxojnë të luajnë me institucionet sepse u garantoj unë, Sali Berisha do të mbrojmë me çdo kusht, jo veten tonë, por vullnetin e të gjithë qytetarëve shqiptarë pavarësisht bindjeve partiake”.

Berisha shprehu më pas falënderim për faktorin ndërkombëtar, veçanërisht për Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe të BE dhe OSBE”. Këtu ai shtoi: “Dua t’i garantoj se skenarë të tillë nuk do të pranohen, këto skenarë do të ndëshkohen”.

e.r/NOA

Vijon...

KOMENTE