English

Blindohen institucionet në Tiranë

Tiranë, 21 janar, NOA – Forca të shumta policie janë vendosur në të gjitha institucionet e rëndësishme në kryeqytet. Numri më i madh i policive është vendosur përballë kryeministrisë. Ndërkohë që dhjetëra makina me policie rëndojnë në pjesën e pasme të godinës, në pritje të demonstratës së opozitës.

Masa të rreptasigurie janë marrë edhe te godia e Ministrisë së Ekonomisë, e cila është shumë afër ndërtesës së Partisë Socialiste. Rreth 50 policë janë parë të vendosur në dy hyrjet e ministrisë. Numri i madh i policive në këtë godinë është vendosur për arsye se në protestat e mëparshme, opozita e ka cilësuar në mënyrë simbolike këtë institucion, si “zonë krimi”.

Mësohet se forca policie të shumta janë vendosur edhe afër godinës së LSI-së. Në media, por jo zyrtarisht nga selia e PS-së, gjatë ditëve të fundit është folur edhe për një protestë para kësaj selie.

Po ashtu forca të shumta policie janë grumbulluar dhe para godinës së Parlamentit.

Deri në mesditë nuk është raportuar për ndonjë incident. Të gjitha masat e marrë nga policia kanë krijuar një atmosferë tensioni në qendër të Tiranës.

a.k/NOA

KOMENTE