Tiranë, 21 Janar 2011 NOA –
Grupe terroriste të udhëhequr nga Edi Rama tentuan të marrin pushtetin me dhunë, deklaroi Kryeministri Sali Berisha i cili ka dalë në këto momente në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp në selinë e Kryeministrisë që deri para pak orësh ishte e rrethuar nga demonstrues, një pjesë e të cilëve të dhunshëm.
Berisha tha se njerëzit panë sot fytyrën e vërtetë, të Edvin Kristaq Ramës, ish-ministrin e masakrës së 2 Prillit 1991, Gramoz Ruçi, në një përpjekje për të marrë pushtetin me dhunë, duke angazhuar banditë, trafikantë dhe njerëz të tjerë të dhunshëm.
Berisha tha më tej se këta bastardë, parashikuan për qytetarët e SHqipërisë, skenarin e deklaruar për ditë me radhë.
“Për orë të tëra, Edi Rama drejtoi nga kullat binjake, fallangat e krimit, grupe trafikantësh e terroristësh, në tërësinë e tyre jo më shumë se 200-300 vetë sepse s’mund të konfondojmë ata qytetarë që u përmbajtën dhe nuk i lejuan vetes të implikohen me dhunë”.
“Ata u përpoqën t’i vënë zjarrin Kryeministrisë dhe të vendosnin pushtetin me dhunë. Duhej me çdo kusht të merrej Parlamenti, Kryeministri, Ministritë”.
“Në këto përleshje kanë humbur jetën 3 qytetarë, janë plagosur dhjetëra qytetarë dhe punonjës policie.
Këtu Berisha theksoi se përgjegjësia e plotë bie mbi organizatorët. Kurse më tej shtoi:
“Duke shprehur ngushëllimet e sinqerta familjarëve të viktimave theksoj se të dhënat paraprake flasin se secili prej tyre është qëlluar nga afër me armë të cilat rezultojnë pistoleta të lehta të cilat nuk gjenden në armatimin e Policisë së Shtetit.
Por i kërkoj prokurorisë të zbardhë sa më shpejt të vërtetën e kësaj ngjarjeje.
“Shpreh mirënjohjen për shkallën më të lartë të profesionalizmit, gjakftohtësisë që bënë që të dështojë skenari puçist i trojkës Rama-Ruçi-Gjinushi. Me profesionalizmin, kurajën e guximin e tyre, anëtarët e forcave të rendit, dëshmuan para shqiptarëve dhe mbarë botës se në këtë vend, funksionojnë ligji dhe shteti ligjor, institucionet demokratike të dalë nga zgjedhje të lira.
Më tej Berisha theksoi se kishte marrë këto orë shumë mesazhe dhe shumë njerëz i kishin shprehur gatishmërinë që të vinin në Tiranë për të mbrojtur institucionet.
“Kryeministri juaj ka qëndruar pas një dreke që pata me ambasadorë nga ora 14.30, e deri në këtë minutë, në zyrën dhe në detyrën e tij. Kanë qëndruar në zyrat e tyre, të gjithë drejtuesit e institucioneve.
NOA
Vijon...