English

Dërgohet me skaf nga Vlora, vrasësi i dyshuar grek

Korfuz, 21 Janar 2011 NOA - Rrugën për në qelitë e burgut të Korfuzit, mori sot 45 vjeçari Anastasios Karavidhas, edhe pse refuzoi të pranojë në Prokurorinë greke, akuzën e ngritur ndaj tij se ka vrarë ish-gruan 36-vjeçare.

Një krim i ndodhur 22 tetorin e kaluar në zonën e Alikes Potamu në Korfuz, vrasje që deri tani kishte mbetur e pazbardhur.

Korrespondenti i agjencisë NOA raporton se 45-vjeçari ka deklaruar tek autoritetet policore dhe ata të hetimit, se ai nuk është autori i vrasjes së të shoqes. Megjithatë, Prokuroria ka ngritur ndaj të dyshuarit, akuzat e vrasjes, armëmbajtjes pa leje dhe përdorimit të armëve të zjarrit në mënyrë të paligjshme.

Burri 45 vjeçar, mbahej prej afro 4 muajsh në qelitë e paraburgimit të Drejtorisë së Policisë Vlorë, qytet në të cilin ka vendbanimin dhe ishte arrestuar për llogari të policisë greke.

Në të vërtetë, i dyshuari kishte shkuar në Vlorë, menjëherë pas vrasjes së ndodhur në Korfuz.

Policia greke duke kryer hetime, arriti në dyshimin se ishe ai autori i vrasjes së ish-bashkëshortes Mishela Evdhoki Konstandiniu dhe i kërkoi autoriteteve shqiptare ta ekstradojnë.

Dje, i dyshuari Anastasios Karavidhas ka mbërritur nën pranga në Korfuz me një skaf të policisë bregdetare greke të nisur nga Vlora.

Prokuroria greke, pasi e mori në pyetje dhe ai mohoi çdo akuzë, e ka dërguar në qelitë e burgut grek në pritje për të dalë në gjyq.

“Nuk e vrava unë Mishelën, refuzoj të pranoj çdo akuzë që ngrini ndaj meje”, ka deklaruar i dyshuari.

Policia tha se hetimi nxori se i dyshuari pasi ishte ndarë me të shoqen 36-vjeçare jetonte në Gjermani. Ata kishin një djalë tetë vjeçar që jetonte me të ëmën. Babai ankohej se e shoqja me të cilën ishte divorcuar nuk e linte ta takonte.

Pikërisht nën këto tensione mes çiftit të ndarë, Karavidhas ka shkuar në Korfuz ku ka dashur të takojë djalin. Sipas policisë pasi është përplasur me të shoqen e ka qëlluar me katër plumba pistolete në kokë dhe trup, duke e lënë të vdekur në vend.

Më pas është arratisur në Shqipëri, ku është kapur nga policia e Vlorës dhe dje, u dërgua me skaf në Korfuz ku tani gjendet në qelitë helene.

Policia e gjeti gruan e vdekur, në bagazhin e makinës që u gjet pranë shtëpisë ku e ndjera jetonte me të birin.

n.s/e.r/NOA

KOMENTE