Korçë, 21 Janar 2011 NOA/Alba Filipi – Gjithçka ishte menduar dhe plani po vihej në jetë: Duhej grabitur dyqani i kompanisë celulare që të nxirreshin ca para, duke mos e menduar shumë se vjedhja është e dënueshme dhe të çon në burg.
Por në çastet e fundit, duket se diçka e ka tradhtuar sepse një “lumë” policësh i kanë rrethuar, duke i ndalur në planin plaçkitës që për pak po vinin në jetë.
Gjithçka ka ndodhur pasditen e djeshme, në qytetin e Korçës, ku një 26 vjeçar me të kaluar të njohur për drejtësinë pasi ishte dënuar për vjedhje, ka tentuar të grabisë dyqanin e kompanisë celulare “Vodafone”.
Drejtori i Policisë së Korçës, Bernard Çaushaj, i tha sot agjencisë NOA se nga ana e strukturave te Hetimit dhe Parandalimit te Krimit ne Drejtorinë e Policisë së Qarkut Korçë, ne bashkëpunim me forcat e Komisariatit te Korçës është bërë i mundur arrestimi në flagrance i 26-vjeçarit Tasjani Leka banues ne qytetin juglindor, i dënuar me pare për veprën penale te “Vjedhjes”.
“Arrestimi i tij u be pasi në orët e pasdites, ne ambientet e një banese te vjetër ne lagjen 12 te qytetit te Korçës iu gjeten dhe sekuestruan ne cilësinë e provës materiale nje arme zjarri tip pushke model 63, një krehër me 17 fishekë luftarake si dhe disa rroba te cilat do te përdoreshin për maskim”, i thanë agjencisë NOA, burimet zyrtare policore.
Nga informacionet paraprake te marra ne rruge operative, është organizuar puna për ndalimin dhe kapjen ne flagrance te të riut, në momentin kur po përgatitej te kryente vjedhjen me arme te dyqanit “Vodafone” në lagjen 12 te qytetit te Korçës.
Policia tha se pas arrestimit të 26-vjeçarit, materialet hetimore për këtë rast i kaluan Prokurorisë Korçë për veprat penale “Vjedhje me arme e mbetur ne tentative” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armeve dhe municioneve luftarake”.
a.f/NOA