Tiranë, 21 janar 2011, NOA- Prej afro dy orësh kryeqyteti i vendit është përfshirë nga vala e protestuesve opozitarë.
E ndërsa nisi në një formë ndryshe nga çfarë ishim mësuar më parë, pas përplasjeve të para mes protestuesve dhe policisë, tashmë turma është duke kryer akte vandale.
Makinat kanë qenë të parat të cilat kanë rënë pre e dufit të mbledhur nga demonstruesit, të cilët tashmë të mbledhur bashkë pranë kangjellave të Kryeministrisë, iu kanë vënë flakën edhe pemëve që ndodhen afër saj.
Të kthyer në delir ata po thërrasin në kor emrin e kreut të opozitës, i cili nuk u shfaq për asnjë moment të vetëm në protestën e lajmëruar nga partia që ai drejton.
Ndërkaq ndonëse është ulur ritmi i konfrontimit, demonstruesit janë duke djegur gjithçka ju del përpara.
Ajo që vihet re është fakti se nga ana e opozitës nuk është bërë asnjë thirrje për ndaljen e këtyre konfrontimeve dhe dëmtimeve që po kryhen.
Në një vatër zjarri është kthyer pjesa e Piramidës, ku në shkallët e saj digjen papushim makinat e sulmuara.
a.y/NOA