Tiranë, 21 janar, NOA - Policia e Shtetit përgënjeshtroni pak minuta më parë deklaratën e bërë nga përfaqësues të subjektit Partia Socialiste, për bllokim të mjeteve të transportit që sillnin në Tiranë demonstruesit.
Në reagimin publik të Policisë së Shtetit theksohet se forcat e rendit nuk kanë ushtruar asnjë presion dhe nuk kanë ndaluar asnjë mjet që hyn në kryeqytet.
“Sqarojmë opinion publik se në asnjë rast Policia e Shtetit nuk ka ushtruar presion apo penguar asnjë mjet transporti gjatë lëvizjes së tyre në drejtim të qytetit të Tiranës”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Në orën 12:00, Anëtarja e Asamblesë së PS-së, Megi Ajtyresa tha se policia po ndalon demonstruesit në Shkodër dhe në Lushnjë.
Sipas saj kjo është një mënyrë që tregon se Policia po ushtron presion për të mos lejuar pjesëmarrjen e qytetarëve në demonstratën e sotme në Tiranë.
“Po ashtu po behën ndalime të shpeshta dhe kontrolle të pajustifikuara siç ka ndodhur në dalje te Shkodrës. Ky koalicion i turpit qeverisës nuk heq dorë asnjë çast nga paudhësitë dhe provokimet por asgjë nuk e ndal dot demonstrimin e zemëratës popullore”, tha ajo.
a.k/NOA