English

Sot demonstrata e opozitës, gjendje gatishmërie

Tiranë, 21 Janar, NOA – Në orën 14.00 të ditës së sotme do të zhvillohet në kryeqytet demonstrata e paralajmëruar e Opozitës së Bashkuar, me kërkesën për të rrëzuar qeverinë dhe zgjedhjet e parakohshme.

Itinerari i kësaj demonstrate do të jetë: Stacioni i Trenit-bulevardi “Zogu i parë”, Zogu i Zi-rruga e “Durrësit”, 21 dhjetori-rruga e “Kavajës”, pallati me shigjeta-Unazë dhe filologjiku-rruga e “Elbasanit”; për t’u mbledhur bashkë pastaj të gjithë demonstruesit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Nga ana e saj, policia është shpallur në gjendje gatishmërie për të siguruar rendin dhe qetësinë publike gjatë zhvillimit të kësaj demonstrate.

Konkretisht, ajo ka vënë në dispozicion rreth 3500 forca, ndërsa ka hartuar edhe një plan konkret masash.

Lidhur me mbikëqyrjen e kësaj proteste, ambasada e SHBA-ve në Tiranë, bëri dje thirrje që ajo të jetë paqësore dhe konstruktive.

Kurse opozita socialiste deklaroi se tubimet e saj demokratike nuk bazohen mbi dhunën, dhe se shmangia e dhunës është detyrë e forcave te rendit.

Nga ana e saj, qeveria tha se policia është në gjendje që të ruajë qetësinë gjatë tubimit socialist, por organizatorët janë përgjegjës për aktet e përkrahësve të tyre, qe i kanë thirrur në protestë.

n.e/NOA

KOMENTE