Tiranë, 22 janar 2011, NOA - Presidenti i Parlamentit Europian, Jerzy Buzek e cilësoi dhunën e përdorur dje në demonstratën e opozitës si të pajustifikueshme. Duke shprehur keqardhjen për jetët e humbura, kreu i PE-së deklaroi se palët politike duhet të tregojnë maturi. “Në emër të Parlamentit Evropian, do të doja të shprehja keqardhjen time të thellë në humbjen e jetëve në Tiranë dhe të bëjë thirrje për qetësi dhe maturi nga të gjitha anët. Dhuna dhe përdorimi i tepruar i forcës nuk mund të justifikohet”, tha Buzek në deklaratën e tij. Kreu i PE-së tha se ndjehet i zhgënjyer që kriza politike në vend nuk u zgjidh për më shumë sesa një vit. “Është shumë zhgënjyes fakti se kriza politike nuk ka qenë e mundur të zgjidhet për më shumë se një vit e gjysmë, qysh në qershor të vitit 2009, pas zgjedhjeve parlamentare”, nënvizoi Buzek. Ai u shpreh se kjo situatë e ka futur Shqipërinë “në një rrugë qorre, por edhe ka ngadalësuar miratimin e nevojshme reformave, dhe për fat të keq është bërë një pengesë e vërtetë në rrugën evropiane të integrimit të vendit”, u shpreh Buzek. Ai theksoi se humbja e jetëve të pafajshme dje në Tiranë duhet të shërbejë për të reflektuar nga ana e klasës politike. “Humbja fatkeqe e jetëve të pafajshme dje në Tiranë, duhet të jetë një thirrje zgjimi për të gjitha partitë politike shqiptare dhe drejtuesit e tyre që të bëhen përgjegjshëm dhe për të kapërcyer bllokimin politik me mjete paqësore dhe kushtetuese dhe të punojnë për integrimin e vendit”, thuhet në deklaratën e Presidentit të Parlamentit Europian, Jerzy Buzek. a.k/NOA