English

Demonstrata e dhunshme, MPJ takim me ambasadorët e NATO dhe BE

Tiranë, 22 Janar 2011 NOA - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, z. Edmond Haxhinasto, thirri në një takim Ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së. Ai i informoi ambasadorët mbi protestat e djeshme të dhunshme të opozitës si dhe mbi situatën e krijuar në Tiranë.

Z. Haxhinasto theksoi se kjo demonstrate e thirrur nga Partia Socialiste kaloi në dhunë, sipas skenarit të paralajmëruar, pavarësisht thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar për një demonstrim paqësor dhe duke respektuar institucionet kushtetuese.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm vlerësoi qëndrimin e komunitetit ndërkombëtar para, gjatë dhe pas protestave të dhunshme, duke shprehur falënderime të veçanta për qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe për OSBE-në, BE-në, dhe vende të tjera mike.

Z. Haxhinasto theksoi se partitë politike duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë për aktivitetet që ato organizojnë dhe t’í udhëheqin ato deri në fund. Në Shqipëri, tha ai, institucionet nuk mund të merren me dhunë, sepse ekzistojnë dhe janë funksionale të gjitha hapësirat dhe institucionet e nevojshme demokratike për të adresuar çdo problem politik.

Demonstrimet e djeshme të dhunshme morën edhe jetë njerëzish, për të cilat Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm Haxhinasto shprehu keqardhjen dhe dhimbjen më të thellë njerëzore. Ai nënvizoi se hetimi i plotë dhe i shpejtë i ngjarjeve të djeshme është e vetmja mënyrë për të zbardhur se çfarë ka ndodhur dje.

Në vazhdim, z. Haxhinasto siguroi përfaqësuesit e huaj se institucionet e vendit dhe rendi kushtetues do të ruhen dhe Qeveria shqiptare është e vendosur të vazhdojë më tej me axhendën integruese dhe për zhvillimin e prosperitetin ekonomik të vendit, si dhe me axhendën e saj rajonale e ndërkombëtare.

e.r/NOA

KOMENTE