English

E plotë/ Dalja e dytë para mediave e kreut të PS

Tiranë, 22 Janar 2011 NOA – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka dalë serish sot para mediave për të shprehur qëndrimin e tij mbi demonstratën e dhunshme të ditës së djeshme.

Më poshtë vijon deklarata e dytë e plotë për shtyp e Kryetarit të PS, Edi Rama (dalja e parë para mediave)

A e dëgjuat o shqiptarë e shqiptare Saliun sot? S’i paska vrarë opozita, s’i paskan vrarë bandat e rekrutuara prej opozitës, s’i paska vrarë as bastardi Edi Rama tre jetëhumburit në demonstratën e djeshme. I paska vrarë vetë ai, domethënë pushteti i tij, me një rregullore të brendshme të bulevardit, duke nxjerrë pushkët e hapur zjarr me duar horrash injorantë mbi protestuesit si askund në botën demokratike, për të treguar forcën e ligjit, domethënë fuqinë e të mbyturit që të mbyt. A e dëgjuat ju o miq dhe partnerë ndërkombëtarë Saliun sot? Dje ju paska gënjyer edhe ju, videoja e gazetarit të talentuar e kurajoz nuk paska qenë montazh e as komplot vizual i një çakalli tjetër të asaj medieje që ka mbetur ende e lirë. Paska qenë e vërtetë, të vrarët i paskan këputur përtokë jo pistoletat e shkrepura nga afër prej killerash të paguar prej opozitës, po shkrepje makabër prej llogorove të një pushteti të dalë mendsh. Ende mendoni se nuk ka dalë mendsh? I ashtuquajturi kryeministër lexoi një mesazh, është ende ditë tani dhe ai ka dy orë që e ka lexuar, i cili i kishte ardhur sot në darkë, në mbrëmjen e 22 janarit. Lapsus? Po pranimi i vrasjeve dhe kërcënimi i hapur me kod mafioz për vrasje të reja lapsus është. Lapsus është edhe refuzimi i Policisë së Shtetit për të ekzekutuar gjashtë urdhër ndalimet për kreun dhe drejtues të tjerë të Gardës së Republikës të marrë peng prej bodigardësh, njerëzish të implikuar në trazirat e vitit ’97, horrash e dhunuesish të verbër të ligjit në emër të errësirës së lakuriqit të kësaj nate të re të demokracisë shqiptare? Lapsus? Refuzimi për të ekzekutuar urdhrat e nxjerrë nga Prokuroria. Sigurisht pas provash dhe faktesh që imponojnë ndalimin e këtyre ekzekutorëve apo në fakt është grusht shteti. Unë u them se asgjë nga çfarë thotë e çfarë bën ky pushtet i dalë mendsh e i dalë duarsh së çdo fuqie kushtetuese e ligjore nuk është lapsus, por është thellimi në një rrugë pa krye. Thellimi në rrugën pa krye të kusarisë e të matrapazllëkut. Thellimi në zullumin që trashet e trashet por që padyshim po i vjen ora që të këputet. Apeli im për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit është të jetë Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit dhe jo një tjetër ekzekutor i urdhrave të paligjshëm të një pushteti i cili ka humbur çdo legjitimitet. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk mund të mbajë mbi tryezë me orë të tëra nga mëngjesi deri në të ngrysur urdhër ndalimet për njerëz shoqërisht të rrezikshëm, për njerëz që kanë qëlluar mbi protestuesit dhe kanë marrë jetë njerëzish. Nga ana tjetër apeli im edhe për miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë është që të shohin drejt e në sy të vërtetën e cila është çdo sekondë e më e qartë falë kurajës dhe falë mundësive që ende kanë mbetur në këtë vend për të transmetuar të dhëna të pa manipuluara, fakte të pa manipulueshme, prova të pakontestueshme, të atyre gazetarëve, të atyre kameramanëve, të atyre mediave që sot janë edhe ato në një kacafytje për lirinë apo për humbjen përfundimtare të lirisë me një pushtet që ka vetëm një rrugë, duhet të largohet. Duhet të largohet në mënyrë që Shqipëria të futet në normalitet dhe shqiptarëve tu jepet e drejta e mohuar deri këtu forcërisht për të zgjedhur lirisht qeverinë e tyre, me zgjedhje të reja, të lira, të ndershme. Së fundi nuk do të lodhem së përsërituri dhe nuk do të lodhem së kujtuari për të gjithë, për shqiptarët e për ndërkombëtarët se demonstruesit e botës ku ne duam të integrohemi, demonstruesit europianë, demonstruesit amerikanë, demonstruesit perëndimorë, demonstruesit e asaj bote që me magjinë e saj na tërhoqi si magnet dhe na nxori në rrugë për të shembur njëherë e mirë regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, nuk qëllohen me plumba as në protesta shumë më jopaqësore sesa ajo e djeshmja e të vrarëve, të plagosurve, të rrahurve e të ndaluarve për një shprehje proteste që në Europën e protestave do të garantohej nga policia pa asnjë problem. Demonstruesit europianë nuk vriten as kur hyjnë në parlament siç bënë në Romë, as kur djegin e shkatërrojnë vlera kolosale materiale siç kanë bërë në Paris apo në Londër vetëm pak javë më parë, as kur mbajnë një vend të tërë në shah mat me muaj siç bërë para pak muajsh në Greqi. Demonstruesit europianë respektohen e garantohen edhe pse protestojnë shumë më jopaqësisht sesa demonstruesit e djeshëm, të cilët të gjithë i patë, të gjithë i panë, të këputeshin përtokë, ndërkohë që ishin në vend, pa asgjë në dorë, të këputeshin përtokë si të ishin qen rrugësh jo bij nënash. Për më tepër demonstruesit europianë respektohen për gjëra shumë më të parëndësishme sesa grabitja e zgjedhjeve, grabitja e pasurisë së popullit apo gënjeshtra si ato që pasuan kapjen e zv. Kryeministrit kokë e këmbë në korrupsion. E përsëris edhe këtu sot gënjeshtra shumë më elegante kanë larguar njëherë e mirë nga politika perëndimore burra të mëdhenj shteti, jo laro si Meta e si Saliu që duan ta vjedhin popullin në të drejtën për të zgjedhur, ta vjedhin popullin ku të munden në pasurinë e tij, ta tallin sa të munden duke e gënjyer sy për sy çdo ditë siç gënjeu dje dhe siç e mohoi vetë sot e pastaj edhe ta vrasin popullin e tyre për ta kthyer Shqipërinë në një bajrak të kusarisë e të matrapazllëkut. Europa dhe bota demokratike, bota e ëndrrave tona, bota ku duam të bashkohemi bashkë me ata që na kanë frymëzuar gjithnjë në përpjekjen tonë edhe në këtë përpjekje, fal gjithçka, hesht përpara gjithçkaje, mbyll sytë përpara çdo gjëje, po kurrë nuk fal, kurrë nuk hesht, kurrë nuk mbyll sytë, përpara dhunës shtetërore, vrastare mbi qytetarë që manifestojnë në emër të lirisë e të drejtave të tyre. Siç është në traditën e regjimeve të kalbur e të marrë fund, të zhytur në korrupsion e të dalë boje, të diskretituar e në prag të ikjes, Saliu lajmëroi antimitingun e radhës për të nxitur ndasinë, për të yshtur njerëz të ndershëm, demokrat të arsyeshëm, të cilët do të merren përsëri pengje nëpër autobusë të paguar me paratë e të gjithë popullit për të ardhur në Tiranë dhe për të festuar katrahurën që bëri në një të ashtuquajtur manifestim kundër dhunës. Kundër cilës dhunë do të manifestojë të mërkurën Sali Berisha? Kundër dhunës së shtetit, kundër dhunës së atyre horrave të gardë së republikës, që sot enden ende të lirë, pas orësh të tëra që u ka dalë urdhër ndalimi. Kundër kujt? Kundër dhunës së ministrit të tij i cili është ekzekutori që duhet ndaluar një orë e më parë si shoqërisht i rrezikshëm. Kundër cilës dhunë do të dali të manifestojë ky burë i cili ka humbur tërësisht fillin e arsyes. E në ndërkohë ne as e kemi humbur dhe as do ta humbim për asnjë çast këtë fill. Fillin e arsyes, duke shkuar përpara me forcën e arsyes dhe duke refuzuar të biem pre e tundimit për të përdorur arsyen e forcës. Dje u provokuam, u provokuam paturpësisht. U provokuam egërsisht, u provokuam barbarisht nga një Polici Shteti e keqpërdorur, e çoroditur, e çorientuar, e shpartalluar si asnjëherë tjetër që siç e panë të gjithë ndërhyri me bomba e me blinda ujëhedhës, jo mbi protestues të armatosur, jo mbi protestues që hidhnin gurë, po mbi protestues që kishin në dorë vetëm ombrellat dhe ristelat e sloganeve të tyre. E që pastaj sigurisht u futën në mënyrë provokative në një spirale e cila sigurisht solli edhe një përshkallëzim. Po një përshkallëzim përsëri pa shkelur kufijtë e atij institucioni që Sali Berisha e përdhos çdo ditë duke e përdorur si një tribunë për të dalë e për të tallur shqiptarët pasi i vjedh, madje edhe pasi i vret. Në do të vazhdojmë në rrugën tonë. Ne nuk do të ndalemi në demonstrimet tona. Ne nuk do të zmbrapsemi në përpjekjen tonë sepse ky është një udhëkryq ku ndahen dy botë, bota e lakuriqit të natës dhe bota e dritës së vërtetës. E asaj drite të së vërtetës që shkëlqen nga yjet e verdhë në flamurin blu në Bashkimin Europian. E asaj drite të së vërtetës që shkëlqen në flamurin të cilit i jemi përulur ditën kur kemi dalë për të rrëzuar Enver Hoxhën, flamurin e lirive dhe të drejtave të njeriut, flamurin e SHBA. Në të gjithë flamujt e botës së lirë dhe të frymëzuar nga të gjitha historitë përmes së cilave bota e lirë ka shkruar rrugën e saj për të ardhur aty ku ka shkuar, ne do të vazhdojmë protestën tonë, do të vazhdojmë demonstratat tona, do vazhdojmë të gjithë përpjekjet tona pa dhunë, paqësisht, urtësisht me fuqinë e pandalshme të rezistencës së popullit. Ata në pushtet janë partia, ne në rrugë jemi populli. NOA

KOMENTE