English

Hysi: Policia e Shtetit po shkel të drejtat e njeriut

Tiranë, 22 janar 2011, NOA- Deputetja socialiste Vasilika Hysi, ka reaguar pasditen e sotme pas mungesës së informimit për personat e ndaluar dhe të arrestuar në flagrancë nga policia e shtetit.

Gjatë fjalës së saj ajo u shpreh se, “Policia e Shtetit të respektojë të drejtat e shtetasve të ndaluar dhe të arrestuar dhe të ndalojë vazhdimin e cenimit të tyre. Qindra protestues paqësore, janë ndaluar mbrëmë nga policia. Këto ndalime kanë qenë akti final pas hedhjes se gazit e ujit lotsjellës, pas rrahjes se qindra fëmijëve, grave e të moshuarve, tinëz, teksa binte errësira, aty, mu ne mes të bulevardit qendror të Tiranës, të cilët, siç i pamë me syte tanë, po largoheshin në paqe në përfundim të protestës”.

Më tej Hysi tha se në mesin e të ndaluarve është edhe një nënë e pesë fëmijëve, e cila fëmijën më të vogël e ka në gji.

Duke iu kundërpërgjigjur Kryeparlamentares Topalli, ajo tha se, “Si mund të dalë kjo zonjë ende në publik, kur është po ajo që për thuajse dy vjet rresht ka dhunuar në mënyrë të vazhdueshme parlamentin shqiptar, duke nxirë me emrin e vet raportet e Komisionit Europian për Shqipërinë. Për çfarë dhune do të protestojë Jozefina e Saliu ditën e mërkurë? Për dhunën që ekzekutorët e Saliut dhe Lulit ushtruan mbi shqiptarët e pafajshëm, vetëm e vetëm pse guxuan të protestonin ndaj këtij pushteti të vjedhur, apo për dhunën e gardisteve, që me urdhër po të Saliut e Lulit që hapën zjarr duke vrarë deri tani 3 shqiptarë”.

Në mbyllje të fjalës së saj Hysi tha se, Policia e shtetit ka detyrim ligjor të informojë familjarët për personin e ndaluar ose të arrestuar në flagrancë, akuzën dhe në rastet e arrestit në flagrancë të njoftojë avokatët.

Hysi iu bëri thirrje organizatave të të drejtave të njeriut, vendase dhe të huaja, Avokatit të Popullit të monitorojnë keqtrajtimet e qytetarëve në protesta për liritë dhe të drejtat e njeriut, të monitorojmë respektimin e të drejtave të personave të arrestuar në flagrancë dhe trajtimin e tyre në vendet e paraburgimit dhe në komisariatet e policisë dhe t’i mundësojnë familjarëve gjetjen e të afërmve të arrestuar.

a.y/NOA

KOMENTE