Uashington, 22 janar, NOA - Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan ka reaguar përmes një deklarate zyrtare lidhur me dhunën e ushtruar gjatë demonstratës së djeshme të opozitës në Shqipëri.
“Ne u shprehim ngushëllimet tona familjeve të viktimave që humbën jetën tragjikisht dhe lutemi për shpëtimin dhe përmirësimin e gjendjes së të plagosurve”, thuhet në këtë deklaratë.
Duke shtuar se shqiptarët e Amerikës u bëjnë thirrje institucioneve juridike shqiptare të ndërmarrin hetime të menjëhershme për incidentin dhe të zbatojnë plotësisht ligjin.
“Ne i bëjmë thirrje popullit shqiptar të ruajë qetësinë dhe të shmangë veprime të mëtejshme dhune apo provokime. Po ashtu, ne u bëjmë thirrje institucioneve të qeverisë shqiptare të ushtrojnë funksionet e tyre udhëheqëse dhe të mbrojnë qytetarët gjatë kësaj krize”, përfundon deklarata e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.
n.e/NOA