English

KMSH: Sot më tepër se kurrë nevojitet tolerancë

Tiranë, 22 janar 2011, NOA – Komuniteti Musliman i Shqipërisë ka dënuar aktet e dhunës të një dite me parë që pushtuan bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke theksuar se situata e krijuar ishte aspak e denjë dhe e merituar për vendin tonë. Duke shprehur keqardhjen për jetët e humbura, si dhe për dhunën dhe kaosin e shfaqur në në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, KMSH i bëri thirrje popullit të vetëpërmbahet dhe të mos bjerë pre e asnjë provokimi dashakeqës, që mund të bëhet shkak për përsëritjen e skenave të tilla, pasi si policët edhe protestuesit janë vëllezërit e bijtë e këtij vendi. “Duhet të kemi parasysh se kaosi sjell kaos dhe dhuna sjell dhunë, për rrjedhojë të gjithë jemi të humbur dhe nuk ka fitimtarë. Që të funksionojë shteti ligjor, të gjithë duhet të respektojmë ligjin. Gjithashtu, inkurajojmë të gjithë faktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë në vend që të forcojnë urat e dialogut dhe mirëkuptimit si dhe të bëjnë përpjekjet maksimale për ruajtjen e stabilitetit dhe qetësisë publike, në të mirë të vendit dhe të shoqërisë”, thuhet në deklaratën për shtyp të Komunitetit Musliman të Shqipërisë. KMSH, thekson më tej se “Sot, më tepër se për çdo gjë tjetër, shoqëria jonë ka nevojë për tolerancë, mirëkuptim dhe dialog të ndërsjellët, pasi këto janë komponentë shumë të rëndësishëm për demokracinë dhe paqen sociale; dhe janë streha jonë e vetme teksa ecim drejt të ardhmes tonë evropiane si një komb i tërë”. mit/NOA

KOMENTE