Prishtinë, 22 Janar 2011 - Spektri politik kosovar ka kërkuar maturi nga partitë politike në Tiranë, ndërkohë që ka shprehur keqardhjen për humbjen e jetëve në demonstratën e zhvilluar të premten.
Qeveria e Kosovës ka thënë se ajo që më së shumti i duhet tash Shqipërisë, është stabiliteti politik dhe institucional.
Zëvendëskryeministri në dorëheqje, Hajredin Kuçi, njëherësh nënkryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, shfaqi shpresën se nuk do të përsëriten më veprimet që pengojnë ecjen e Shqipërisë kah integrimet evropiane dhe që dëmtojnë imazhin e shqiptarëve.
“Qeveria i fton të gjitha forcat politike, por edhe qytetarët e Shqipërisë për një gjakftohtësi, për një mendje racionale dhe për një qëndrim të zgjidhjes së problemeve në kuadër të kornizave demokratike dhe politike, që i ka Republika e Shqipërisë”, tha Kuçi.
Në demonstratën e djeshme në Tiranë humbën jetën 3 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë. Pas këtij përfundimi tragjik, Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se stabiliteti institucional është rrugëzgjidhja e të gjitha problemeve në Shqipëri.
Sekretari i përgjithshëm, Ismet Beqiri, tha se problemet duhet të zgjidhen me dialog.
“...sepse, padyshim që mënyra e tillë, e dhunshme nëse mund të thuhet, e dëmton imazhin e Shqipërisë në përgjithësi, duke pasur parasysh edhe faktin se Shqipëria ka shënuar progres, veçmas në vitin që lamë pas”, tha Beqiri.
Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar edhe institucionet, edhe opozitën shqiptare në lidhje me ngjarjen tragjike të së premtes. Glauk Konjufca, nga kjo lëvizje, tha se imazhi i Shqipërisë u dëmtua shumë.
“Të gjitha ngjarjet kryesore politike që kanë ndodhur mes pozitës dhe opozitës atje, e dëmtojnë shumë imazhin e Shqipërisë, duke filluar nga pamundësia e gjetjes së marrëveshjes politike lidhur me zgjedhjet atje, deri te videoja skandaloze e zëvendëskryeministrit, për të përfunduar me demonstratën”, theksoi Konjufca.
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, tha se në këto rrethana sfiduese që po kalon Shqipëria, Aleanca bën thirrje që të gjendet hapësirë që kjo situatë të tejkalohet me maturi.
“Ne kemi nevojë të kemi imazh të mirë para botës, si Shqipëria, si Kosova, si vendet ku jetojnë shqiptarët, dhe të mos tensionohet më tej situata. Ka ndodhur çka ka ndodhur dhe tani të ulen gjakrat dhe të shikohet në mënyrë demokratike dhe me dialog të zgjidhen problemet ekzistuese”, u shpreh Isufi.
Në anën tjetër, Ibrahim Makolli nga Aleanca Kosova e Re, u shpreh se demonstratat e djeshme të opozitës, që përfunduan me dhunë dhe viktima, nuk i bëjnë mirë as Shqipërisë e as shqiptarëve në përgjithësi.
“Më së paku Shqipërisë dhe shqiptarëve në këtë kohë u është dashur një demonstratë e tillë, e cila e dëmton rëndë jo vetëm imazhin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve, por e dëmton edhe të ardhmen e tyre. Ne u bëjmë ftesë edhe qytetarëve, edhe klasës politike atje, që të gjejnë rrugë për t’i zgjidhur problemet që sot e mundojnë qytetarin”, tha Makolli.
Spektri politik kosovar është rezervuar që të fajësojë për dhunën qoftë njërën apo palën tjetër. Por, ajo që ka kërkuar nga Tirana zyrtare është që dhuna e së premtes të mos përsëritet më, si dhe problemet të tejkalohen përmes rrugës së dialogut. /rfe/
Lexoni gjithçka mbi ngjarjet e sotme
Ngjarjet hap pas hapi 1
Ngjarjet hap pas hapi 2