Tiranë, 22 janar 2011, NOA – “Ne presim vënien përpara ligjit të Edi Ramës dhe eksponentëve të tjerë që sulmuan dje me molotovë thirrjesh për gjak institucionet e shtetit. Ne presim sot që institucionet e drejtësisë të venë përpara drejtësisë ata që kërkojnë publikisht vrasjën e mijëra njerëzve në emër të pushtetit të tyre”, deklaroi sot ministri i Transporteve, Sokol Olldashi. Sipas tij pak orë pas ngjarjeve të djeshme, është bërë edhe më e qartë se sulmi i djeshëm mbi institucionet e shtetit është shfaqja, në sytë e të gjithëve e Edi Ramës, si qen i tërbuar, në kërkim të karriges së Kryeministrit. Në vijim të akuzave të tij ministri Olldashi theksoi se “Është qartësisht e dukshme, në sytë e të gjithëve se ajo që ndodhi dje ishte sulmi i rrugaçërisë dhe i rrugaçëve politikë mbi vlerat e ndërtuara në këtë vend me 20 vjet sakrifica të të gjithëve”. Sikundër edhe përfaqësuesit e tjerë të mazhorancës sot, ministri Olldashi tha se aktet e dhunës që pushtuan dje sheshin para selisë së kryeministrisë, ishin një sulm i krimit politik, i cili sipas Olldashit kërkoi të nëpërkëmbë aspiratat e qytetarëve shqiptarë për një jetë më të mirë, për një të ardhme evropiane. “Ajo që ndodhi dje ishte përpjekje e qartë për marrjen e pushtetit me dhunë, qëllim përpara të cilit, sikurse deklaruan dje prostitutat politike që nuk kanë lënë gardh partie pa thyer, janë të gatshëm të vrasin 13 mijë njerëz, të përdorin si mish për top socialistët dhe qytetarët e këtij vendi”, akuzoi zoti Olldashi, duke iu referuar një deklaratë të dhënë nga përfaqësuesi i Opozitës së bashkuar, Spartak Ngjela. “Cila është kjo karrige pushteti që vlen sa jetët e 13 mijë socialistëve apo qytetarëve çfarëdo të këtij vendi”, tha më tej Olldashi. Ministri Olldashi nënvizoi se “Ajo që ndodhi dje, ishte shfaqja kriminale e qenit të tërbuar që po kërkon të kafshojë Shqipërinë dhe që po kërcënon qytetarët e saj me skenarin e ‘ 97-ës. Me kontigjente kriminelësh që pas Kryeministrisë u vërsulën nëpër dyqane”, tha Olldashi, duke shprehur mirënjohjen ndaj uniformave blu që mbrojtën institucionet dhe qytetarët e Tiranës. Ai i bëri thirrje organit të akuzës të hetojë sa më parë vrasjen e tre demonstruesve e të nxjerrë përballë drejtësisë përgjegjësit, ata që sipas Olldashit mobilizuan një grup keqbërësish ordinerë, për ta vënë në shërbim të politikës ordinere. Sipas tij çdo socialist, demokrat, e çdo qytetar i këtij vendi, duhet të kuptojë se përpjekja e djeshme e Edi Ramës, ishte në fakt një tejkalim kriminal kompetencash politike dhe një shpërdorim barbar i të drejtës së gjithsecilit për të protestuar paqësisht në një vend të lirë. Olldashi akuzoi se “aktet kriminale të 21 janarit ishin një vrasje në masë, e mbetur në tentativë, e shpresës së çdo shqiptari për të ardhmen që po ndërtojmë bashkarisht me mund, sakrifica dhe shpresë”. mit/NOA