English

Patozi: Edhe pa hetim, Rama, përgjegjës i vrasjeve të djeshme

Tiranë, 22 janar 2011, NOA – Pas deklaratës së kryeministrit Berisha edhe kryetari i Grupit Kuvendor të Partisë Demokratike, Astrit Patozi deklaroi para pak minutash se i vetmi përgjegjës për atë çka ndodhi një ditë më parë në demonstratën e opozitës është Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama. Edi Rama tha Patozi në një konferencë për shtyp është përgjegjës për vdekjen e tre demonstruesve, një fakt ky që sipas Patozit është i qartë edhe pa hetimin e Prokurorisë. “Rama është fajtor për vrasjet e djeshme”, nënvizoi zoti Patozi. Ai theksoi se Edi Rama tentoi dje të përmbyste me gjak e armë, e me bomba molotov shtetin, duke paguar fallanga të krimit për të prishur rendin e qetësinë publike në kryeqytet. Kreu i Grupit Kuvendor të PD-së shprehu ndërkohë edhe ngushëllimet më të sinqerta për familjarët e atyre që humbën jetën gjatë demonstratës së djeshme e thirrur nga kryesocialisti Edi Rama. “Ajo nuk ishte shfaqja e stadit të një vendi demokratik, anëtar të NATO-s. Dje, Rama guxoi të luajë me kartat e atyre që sot nuk janë më”, tha Patozi. Kryetari i Grupit të PD-së nënvizoi se “Përtej asaj që pamë dje me zë e figurë, Edi Rama luajti dje me shpresën dhe jetën e qytetarëve shqiptarë”. Në këtë kontekst, Patozi i kujtoi Ramës se mazhoranca nuk do të lejojë që një grusht banditësh të dhunojnë shtetin. “Sot është dita për të bërë bilanc të ftohtë të asaj që ndodhi dje, dhe i bëjmë thirrje organit të akuzës të hetojë sa më shpejt e në mënyrë të pavarur, por ajo që është e qartë edhe pa hetim tha Patozi, është se përgjegjësia është e Kryetarit të Partisë Socialiste, pasi ai shpalli ditë më parë se çdo të ndodhte, dhe pagoi fallanga të krimit për të ngritur dorën ndaj shtetit”, deklaroi Patozi, duke i garantuar qytetarët se askush nuk do të guxojë të dhunojë institucionet e vendit. mit/NOA

KOMENTE