Tiranë, 22 Janar 2011 NOA/DW Arben Muka - Pas demonstratës në qendër të Tiranës ku kanë humbur jetën 3 qytetarë dhe janë plagosur e lënduar dhjetëra të tjerë Prokuroria e Republikës po zhvillon hetime intensive për të gjithë dinamikën e ngjarjeve.
Prokuroria e Tiranës ka lëshuar urdhra arresti për 6 anëtarë të Gardës së Republikës, të cilët kanë qenë me shërbim në ambientet e selisë së Kryeministrisë gjatë demonstratës së të premtes në Tiranë. Fletë arrestet janë në kuadër të hetimeve që po zhvillohen mbi aktet e dhunës në demonstratë dhe kryesisht për rrethanat e humbjes së jetës së tre qytetarëve. Nuk bëhen me dije emrat e tyre për arsye hetimore.
Sipas burimeve nga Prokuroria e Republikës është mobilizuar për hetime një ekip i përzgjedhur ekspertësh i përbërë nga prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore nga kryeqyteti. Po behën verifikime, mbledhje provash e evidencash në vendin ku u mbajt demonstrata antiqeveritare, janë bllokuar të gjitha procedurat për mënyrën se si ka vepruar policia e shtetit në vendngjarje, garda e republikës, si janë përdorur armët e zjarrit etj.
Po pyeten dëshmitarë nga ata që janë paraqitur në spitale, por dhe të tjerë demonstrues të cilët janë ndaluar në stacione të ndryshme policore të Tiranës. Pavarësisht se Prokuroria ende nuk ka ndonjë raport apo konstatim zyrtar mbi humbjen e jetës së tre protestuesve, përfaqësuesit kryesorë të politikës janë duke dhënë versionet e tyre mbi shkaktarët dhe fajtorët e asaj që ndodhi gjatë demonstratës dhe për viktimat. Ka shkëmbime akuzash mes mazhorancës dhe opozitës, në një kohë që të gjithë kërkojnë që të publikohen sa më shpejt të dhënat e hetimeve zyrtare.
Deri më tani janë rreth 50 qytetarë që kanë kërkuar ndihmën nga ekipet mjekësore, kryesisht për plagosje me armë zjarri, nga goditjet me mjete të forta, ose për lëndime më të lehta. Gjithashtu janë evidentuar dhe 17 anëtarë të njësive policore të cilët janë plagosur ose lënduar nga përplasjet me demonstruesit. Gjatë mbrëmjes së të premtes dhe në orët e para të ditës së shtunë njoftohet se policia ka kryer dhjetëra arrestime të personave që dyshohen si shkaktarë dhe protagonistë të dhunës gjatë demonstratës para selisë së qeverisë në Tiranë.
Nga ana tjetër kryeministri Sali Berisha ka lajmëruar sot në mesditë për organizmin e një mitingu paqësor ditën e mërkurë. Ai ka ftuar qytetarë nga gjithë vendi, pavarësisht bindjeve politike, siç tha ai për të marrë pjesë në këtë miting paqësor dhe kundër dhunës. Në kohën kur kryeministri ishte në bashkëbisedim me gazetarët jashtë zyrave të selisë së qeverisë drejtuesit kryesorë të opozitës dhe disa mbështetës bënë homazhe në vendin ku humbën jetën 3 demonstruesit gjatë pasdites së të premtes.
Lexoni gjithçka mbi ngjarjet e sotme
Ngjarjet hap pas hapi 1
Ngjarjet hap pas hapi 2