English

Rama: Horrat e gardës me urdhër këputën në tokë demonstruesit

Tiranë, 22 janar 2011, NOA – Vetëm pak minuta më parë, Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka akuzuar direkt forcat e gardës së Republikës se janë ata që kanë hapur zjarr ndaj demonstruesve të pafajshëm. Duke iu referuar lajmit se urdhërarrestet e Prokurorisë për gjashtë gardistë janë refuzuar të ekzekutohen nga Policia e Shtetit, kryesocialisti Edi Rama fajësoi kryeministrin Berisha dhe ministrin përkatës se kanë urdhëruar me duar horrash e injorantësh vrasjen e tre protestuesve. Rama iu referua një videoje të bërë publike në media ku duket një demonstrues pranë derës së kryeministrisë, i cili bie poshtë pas një goditjeje me armë zjarri, duke deklaruar sot se “Të vrarët i kanë hedhur në tokë jo shkrepjet me pistoletë në rrugë, por të shtënat nga gardistët. Lapsus është edhe refuzimi i Policisë së Shtetit për të arrestuar disa gardistë? Pse, lapsus është mosekzekutimi i urdhrave të nxjerrë nga prokuroria për gardistët?”, pyeti Rama duke nënvizuar se në fakt vrasja e protestuesve ishte një grusht shteti. Në vijim të deklaratës së tij, Rama akuzoi kreun e mazhorancës se “gjithçka thotë e bën ky pushtet i dalë mendsh nuk është lapsus por është thellim në një rrugë pa krye të kusarisë e matrapazllëkut”. Kryesocialisti Rama i bëri thirrje Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj të kryejë detyrën e tij dhe të mos ekzekutojë urdhrat e këtij shteti që ka humbur kontrollin. Në këtë kontekst ai i bëri thirrje Burgajt që të lejojë urdhërekzekutimet për ndalimin e personave të rrezikshëm. Rama u bëri thirrje edhe ndërkombëtarëve që të shohin të vërtetën me sytë e tyre, duke vlerësuar mediat për rolin e tyre të paçmuar në nxjerrjen në pah të së vërtetës së videos, ku sipas Ramës duket qartë se demonstruesi u qëllua nga brenda kryeministrisë. Rama i bëri thirrje qeverisë Berisha të largohet nga pushteti, në mënyrë që sikundër tha ai, Shqipëria të futet në normalitet dhe t’i jepet e drejta shqiptarëve që në zgjedhjet e parakohshme, të zgjedhin me votën e tyre qeverinë e re. “Demonstruesit e botës ku ne duam të integrohemi nuk qëllohen me plumba as në protesta shumë më jopaqësore, që në Europën e qytetëruar do të viheshin nën kontroll në mënyrë paqësore e pa armë”, tha zoti Rama duke ritheksuar se “Protestuesit u panë dje të këputeshin përtokë si të ishin qen rrugësh e jo bij nënash”. “E përsëris edhe sot se gënjeshtra më të mëdha kanë larguar burra edhe më të mëdhenj shteti e jo larva si Sali Berisha, Ilir Meta, të cilët po e vjedhin shtetin e shqiptarët duke e kthyer në një bajrak, siç është në traditën e regjimeve të kalbura”, argumentoi Rama. Lidershipi i PS-së, risolli në vëmendje edhe lajmërimin që bëri kryeministri Berisha të një manifestimi paqësor duke thënë se “Saliu lajmëroi antimitingun për të yshtur njerëzit e pafajshëm dhe për të festuar katrahurën që gatoi vetë”. Ai iu drejtua kryeministrit Berisha duke i kërkuar të dijë se “kundër cilës dhunë do protestosh të mërkurën Sali Berisha, kundër dhunës së ministrit tënd?”. Sipas Ramës, Sali Berisha, ky burrë që ka humbur tërësisht fillin e arsyes, nuk mund ta ndalë opozitën në rrugën e saj të arsyes për të larguar qeverinë e korrupsionit me protesta paqësore. “Por ne do të ecim përpara me forcën e arsyes. Dje u provokuam barbarisht nga një polici shteti e shpartalluar si asnjëherë tjetër, duke u hedhur mbi protestues që mbanin çadra në duar”, shtoi Rama. Kryesocialisti Edi Rama i bëri thirrje popullit të marrë pjesë në protestat e opozitës, në përpjekjet e saj pa dhunë për të larguar këtë pushtet të kalbur. “Ata në pushtet janë partia ne në rrugë jemi populli”, tha Rama në fund të deklaratës së tij nga selia rozë, e dyta për sot, e cila erdhi pas deklaratave të kryeministrit Berisha dhe kreut të grupit kuvendor të PD-së, Astrit Patozi, të cilët bënë përgjegjës për tre viktimat e demonstratës, lidershipin e opozitës Edi Rama.Vijo.. mit/NOA

KOMENTE