Tiranë, 22 Janar, NOA – “Sot, ju dhe mbarë miqtë e vërtetë të Shqipërisë kudo në botë, patë fytyrën e vërtetë, shëmtinë morale të Edvin Kristaq Ramës, ish-ministrit të sigurimit të shtetit të diktaturës, kryeautorit të masakrës së Shkodrës, Gramoz Ruci, ish-ministrit të Enver Hoxhës, Skënder Gjinushi, projektuesit e një akti kriminal për të marrë pushtetin me dhunë, duke angazhuar bashibozukë, banditë, kriminelë, trafikantë të paguar.
Bastardët e benalive shqiptarë imagjinuan për ju qytetarë të Shqipërisë, skenarin tunizian, të cilin e anoncuan disa ditë me radhë. Për orë të tëra nën drejtimin direkt të Edvin Kristaq Ramës, i vendosur në ndërtesë në kullat karshi Kryeministrisë, në lokalin e Fidel Yllit, falangat e krimit, grupe banditësh, trafikantësh dhe terroristë, jo më shumë se në tërësinë e tyre, 200-300 vetë, sepse këtu në asnjë rrethanë nuk konfondoj ata qytetarë, të cilët u përmbajtën nga dhuna, nuk e lejuan vetën të implikohen në dhunë. Pra për orë të tëra tentuan të pushtojnë, kryeministrinë e vendit, t’i vënë asaj zjarrin dhe të vendosin këtu pushtetin e dhunës. Skenari i tyre ishte: duhej me çdo kusht të merrej kryeministria, duhej me çdo kusht të merrej parlamenti, duhej me çdo kusht të merreshin ministritë.
Në këto përleshje kanë humbur jetën 3 qytetarë, janë plagosur dhjetëra policë dhe demonstrues. Përgjegjësia e plotë totale për të gjitha këto bie mbi organizatorët e skenarit tunizian, mbi pinjollët e benalive shqiptarë.
Duke ju shprehur ngushëllimet më të sinqerta, familjarëve të viktimave , theksoj se të dhënat paraprake flasin se secili prej tyre është qëlluar, nga afër me armë pistoleta të lehta, të cilat nuk gjenden në armatimin e Policisë së Shtetit dhe as të Gardës së Republikës. Duke theksuar këtë i kërkoj Prokurorisë të zbardhë sa më shpejt të vërtetën e këtyre jetëve të humbura.
Përshëndes, ndonëse në fatkeqësi , familjarin e njërit prej këtyre viktimave, i cili do t’i thoshte në Spitalin Ushtarak, njërit prej këtyre drejtuesve kryesorë të kësaj dhune i tha: largohu kriminel na vrave vëllanë dhe kjo është e vërteta , në prani të personelit dhe do ta nxirrte jashtë nga dhoma. Motra e shkretë megjithëse kishte në gjendje shumë të rëndë vëllain , por nuk kishte humbur arsyen i dha atë që meritonte, këtij shoku.
Unë gjithashtu sot jam këtu për të shprehur vlerësimin tim më të madh, për të falënderuar me mirënjohje të thellë Policinë e Shtetit për shkallën më të lartë të profesionalizmit, të trimërisë, të përgjegjësisë, të guximit, të gjakftohtësisë, e cila bëri që të dështojë skenari puçist i trojkës Rama-Ruçi-Gjinushi.
Me profesionalizmin, guximin, kurajon dhe përgjegjësinë e tyre, anëtarët e forcave të rendit dëshmuan para shqiptarëve dhe mbarë botës, se në këtë vend, ligji dhe shteti ligjor, institucionet tuaja demokratike, të dala nga zgjedhjet e lira, janë më të forta se çdo bandë, se çdo bandit, se çdo fallangë në këtë vend.
Një falënderim dhe mirënjohje të veçantë dua tu bëj qytetarëve të Tiranës, të cilët braktisën aventurën e trojkës Rama-Ruçi-Gjinushi, nuk u bashkuan në këtë aventurë dhe me qëndrimin e tyre bënë që ajo të marrë dështimin e merituar.
Të dashur qytetare dhe qytetarë!
Sot nga ju, unë kam marrë me mijëra mesazhe dënimi të ligjshëm, të këtyre akteve banditeske, të 200-300 personave të paguar, mercenarë, bashibozukë, anëtarë të klaneve të drogës, të cilët kërkonin tu vinin zjarrin institucioneve tuaja. Dua t’ ju falënderoj për gatishmërinë tuaj të madhe që shprehët për tu nisur nga të katër anët e Shqipërisë, për të mbrojtur institucionet, sepse ju e kuptuat se në zjarr nuk ishin godinat, në zjarr ishin liritë, të drejtat, pasuritë, vota, e ardhmja juaj.
Unë dua t’ju informoj duke mirëkuptuar tronditjen tuaj se institucionet e këtij vendi kurrë nuk ka bandë as bandit, puc e as puçist që do të mund t’i marrë ato. Kryeministri juaj ka qëndruar nga ora 2:30, pasi u ktheva nga një drekë që kisha me ambasadorin e një vendi mik dhe deri në këtë minutë, në zyrën dhe detyrën e tij. Kanë qëndruar në kryeministri i gjithë stafi dhe punonjësit e kësaj kryeministrie, por dua të theksoj se kanë qëndruar në krye të detyrës dhe në zyrat e tyre të gjithë drejtuesit, në mënyrë të veçantë drejtuesit e atyre institucioneve, të cilat skenaristët kishin parashikuar t’i pushtonin.
Ka qëndruar dhe është në detyrë, Kryetarja e Parlamentit, kanë qëndruar dhe janë në detyrë ministrat ; i Ekonomisë, i Financave dhe të gjithë ministrat e tjerë, ministri i Brendshëm, sigurisht që ka qenë në terren dhe në detyrë në mënyrë të vazhdueshme, ministri i Mbrojtjes gjithashtu ka qenë në detyrë.
Pra në këtë ditë dhune dhe terrori të kuq të bllokmenëve, përfaqësuesit tuaj kanë qenë në krye të detyrës, të vendosur të mbrojnë, të drejtojnë dhe të mbrojnë çdo metër katror të institucioneve, ku ata qeverisin.
Unë dua të paralajmëroj banditët, bashibozukët, trafikantët : mos synoni të sulmoni institucionet se ju garantoj, se unë Sali Berisha dhe gjithë punonjësit e këtyre institucioneve do t’ju rezervojnë atë që nuk do të jeni në gjendje kurrë më të mendoni për t’i sulmuar. Nuk mbrojmë këtu veten tonë, këtu mbrojmë ne vullnetin e të gjithë qytetarëve shqiptarë, të cilët pavarësisht nga bindjet partiake, i besojnë demokracisë dhe vlerave të saj.
Dua të falënderoj faktorin ndërkombëtar, në mënyrë të veçantë një falënderim të përzemërt, qeverisë së SHBA-ve, e cila nëpërmjet përfaqësuesve të saj ka shprehur qëndrimet e veta në favor të rregullit, të rendit demokratik; përfaqësuesin e OSBE-së, përfaqësuesin e Bashkimit Evropian. Por dua t’i garantoj se skenarë të tillë nuk do të pranohen, t’i garantoj se skenarë të tillë do të ndëshkohen. Unë jam njeri i detyrës dhe të mos gabojë kush, e kam provuar këtë unë, jam njeri i detyrës, por shpreh kënaqësinë se të njëjtin qëndrim ndajnë edhe bashkëpunëtorët e mi.
Dy fjalë për qytetarët! Sigurisht që me këto akte, trojka e bllokut të vjetër , ministrave të Enver Hoxhës, synon me çdo kusht të dëmtojë imazhin e Shqipërisë. Synon me çdo kusht t’ ju paraqesë ju dhe Shqipërinë, ashtu si kundër ju dhe Shqipëria nuk është. Por nga ana tjetër, ju patë se institucionet që ju keni ndërtuar u treguan në lartësinë maksimale të institucioneve të një vendi të lirë dhe demokratik.
Nga ana tjetër dua të theksoj këtu, se në rast se trojka e bllokut mendon se në këtë mënyrë do të realizojë një qëllim, unë i jap fjalën se në këtë mënyrë do të realizojë veçse daljen e vet përfundimtare nga skena politike e këtij vendi.
Zoti Berisha, pak minuta më parë në një konferencë të dytë për shtyp, Kryetari i Partisë Socialiste la të kuptonte se protesta e popullit opozitar do të vazhdojë edhe gjatë ditës së nesërme. Në rast se gjendeni përballë kësaj situate që u përball sot Tirana, cili do të jetë qëndrimi i qeverisë suaj?
Ligji, ligji dhe vetëm ligji. Cilido që do të guxojë të shkelë ligjin do të përballet me pasojat e tij direkte. Ky është absolutisht qëndrimi i vetëm. E ftoj zotin Rama, të mos provokojë popullin shqiptar, të mos provokojë shoqërinë shqiptare, të mos provokojë ata të cilët kanë votuar të lirë, se do të gjejnë vështirësi të mëdha. Kurse unë , nuk kam përgjigje tjetër, përveçse ligjit, ligjit dhe vetëm ligjit.
Zoti Berisha, Ju thoni se nuk është kjo mënyra që opozita duhet të realizojë qëllimin e saj dhe qëllimi i saj janë zgjedhjet e parakohshme. Pyetja e parë është cila është mënyra e duhur?
Zgjedhjet ky vend do t’ i ketë në vitin 2013. Ai që mendon se mund të vijë në pushtet me dhunë, mund të marrë çdo gjë tjetër përveç pushtetit. Pushtetin me dhunë nuk mund ta marrë kurrë askush në këtë vend, një vend anëtar i NATO-s, një vend i lirë, një vend me institucione demokratike. Nuk ka forcë në botë që të mund të okupojë vullnetin e lirë të shqiptarëve.
Shtetet e Bashkuara thonë në deklaratën e tyre se kërkojnë dialog konstruktiv dhe kompromis për të zgjidhur mosmarrëveshjet politiko ekzistuese. Ju nga ana juaj çfarë do të bëni nesër?
Çdo gjë në përputhje me kushtetutën, me shtetin ligjor dhe ligjet e vendit. Unë kam qenë dhe jam gjithnjë i këtyre qëndrimeve të prera. Nuk kam ndjekur dhe nuk ndjek politika konfrontuese, por e vërteta është se jam i vendosur ti përgjigjem me të gjithë forcën e ligjit cilitdo.
Për vrasjen e 3 anëtarëve që morën pjesë në protestë, ju thoni me siguri që policia nuk ka të tilla mjete që shkaktojnë plagë të tilla. Opozita thotë se janë vrarë me snajper a e konfirmoni këtë?
Opozita organizoi një skenar puçist, e paralajmëroi atë, organizoi skenarin tunizian. Përgjigje opozitës i dhanë familjarët e njërit prej viktimave, i nxorën jashtë ata: “Dil jashtë kriminel, na vrave vëllamë”. Të dhënat paraprake të ekspertëve dhe të mjekëve të reanimacionit janë se ata janë gjuajtur nga afër me armë të lehta. Por kjo do të faktohet shumë thjesht, sepse në të gjitha rastet plumbi nxirret, ka qenë aq i dobët sa nuk ka përshkruar dot shtresat. Madje thuhet, po t’i shohim se janë me silenciator. Këto janë të dhënat e deri tanishme që akuzojnë direkt skenaristët, por megjithatë, këtu do të ketë do të ketë një hetim, një ekspertizë mjeko ligjore serioze që do të nxjerrë të gjithë të vërtetën. Edhe njëherë plumbat janë në vend dhe është shumë e thjeshtë të gjendet, pasi armët janë të regjistruara të gjitha. Është shumë e thjeshtë të gjendet se është siç thotë opozita, apo është e kundërta e saj. Policia nuk mban snajper, janë të ndara detyrat. Nuk mohoj se ka pasur snajpër, institucionet do të mbrohen me çdo kusht. Kurrë këto institucione nuk do të mund t’i dhunojë njëri, mjerë ai që gabon. Mjerë ai që kujton se mund të verë këmbën brenda tyre. Urdhri është i prerë dhe përfundimtar që institucionet nuk mund të preken kurrë.
Zoti Rama deklaroi pak më parë se ka qenë policia ajo që ka provokuar protestuesit, pasi protesta do të ishte e qetë sipas tij?
Nuk tha se ishte policia që u dha hunj protestuesve? Zoti Rama do të mbajë të gjithë përgjegjësinë për këtë që ka ndodhur dhe unë e garantoj se do mbajë përgjegjësi të plotë për këtë që ka ndodhur, jap garanci të plotë për këtë dhe përgjegjësi shumëplanëshe. Për ne rëndësi të jashtëzakonshme kishte fakti që braktisi Tiranën, por Tiranën nuk mund ta bëjnë kurrë zap banda dhe banditë, hiqeni nga mëndja, Tirana është kryeqyteti i vendit.
Ndërkohë janë paralajmëruar sërish protesta ditën e nesërme, nga anëtarë të opozitës, Zoti Berisha do merren masa për t’i parandaluar ato, apo sërish do të pritet me idenë se këto protesta do të jenë, jo të dhunshme?
I nderuar zotëri, ligji, ligji dhe vetëm ligji, kjo është motoja jonë. Ne jemi të hekurt në vendosmërinë tonë për të mbrojtur ligjin dhe shtetin ligjor.
Zoti Kryeministër, pamë një situatë që në fakt nuk mendohej se do të arrinte deri në këtë pikë, por ne që e ndoqëm nga afër e përjetuam më ndryshe, jemi dëshmitarë, sa e dëmton imazhin e Shqipërisë kjo situatë?
Në fakt vetëm ky është qëllimi i saj. Shqipëria u shpall destinacion turistik kryesor në botë. Shqipëria është vendi i investimeve më të mëdha në rajon. Shqipëria është në një proces integrimi, këta përdorin dhunën për të ndërprerë këtë kurs, por kjo është shumë dritëshkurtër.
Sa është i përgatitur shteti shqiptar dhe policia e shtetit për të përballuar, jo vetëm nesër, po mbase edhe ne ditët në vijim protesta të tilla edhe në qytete të tjera?
E garantoj Policinë e Shtetit se do të kenë mbështetje të plotë dhe ju garantoj ju se qytetarët shqiptarë nuk do ta tolerojnë kurrë një gjë të tillë. Harrojeni se shqiptarët do të pranojnë një gjë të tillë. Qytetarët shqiptarë nuk do të pranojnë një gjë të tillë, nëse duan ta provojnë, le ta provojnë.
Duke parë gjithë këtë situatë kaotike, a ju shkoi ndonjëherë ndërmend, qoftë dhe për një moment dorëheqja për të shmangur gjithë këtë situatë?
Absolutisht as edhe një sekondë. Kam qenë në zyrën time dhe po ndiqja situatën me vendosmëri totale, absolute për të bërë ligjin dhe për asgjë tjetër.
A do të lejojë nesër policia grumbullime?
Policia po bën gjithë analizën e saj. Shqipëria nuk është në gjendje të jashtëzakonshme dhe nuk do të kalojë në gjendje të jashtëzakonshme, këtë ta heqë çdo kush nga mendja. Por të jeni të sigurt se skenari i dhunës nuk do të tolerohet gjatë dhe për këtë duhet t’ ju garantoj.
A keni marrë mesazhe nga ndërkombëtarët rreth asaj që ndodhi sot në Tiranë?
Kam marrë mesazhe, sigurisht që kanë bërë shumë përpjekje që të ndikojnë kundër përdorimit të dhunës, por skenaristët nuk mund të tërhiqeshin nga vepra e tyre kriminale.
A ndieni njëfarë përgjegjësie ju për viktimat e ditës së sotme?
Ndiej keqardhje për çdo viktimë, mua viktimat me ngjallin gjithnjë keqardhje, por të jesh e sigurt se përgjegjësia direkte e plotë dhe totale qëndron mbi atë që organizoi skenarin. Mund t’ju bëj një pyetje: ju që ishit në të katër anët e kësaj situate me kamerat tuaja, pse nuk arritët të filmonit njërin prej tyre. Si nuk arritët ju të filmoni qoftë dhe njërin prej tyre. Çfarë ndodhi me kamaret tuaja? Ju i keni dhënë të gjitha, madje unë dëgjova një telekronist tuajin që tha se më ka marrë plumbi, pastaj doli se nuk e kishte marrë plumbi. Ndjeva keqardhje, por atmirësisht doli se nuk e kishte marrë plumbi dhe tha se më shtynë.
A ka pasur një komunikim mes jush dhe zotit Rama gjatë ditës së sotme dhe sa shanse ka për një zgjidhje politike?
Ai që mendon se do të arrijë zgjidhje me forcë, absolutisht do të arrijë në zgjidhje me forcë, vetëm kur të shohë veshët e tij pa pasqyrë, kurrë!
*Bashkëbisedimi i djeshëm i kryeministrit Berisha me gazetarët pas demonstratës së dhunshme të opozitës