Shkup, 23 janar, NOA - Zëvendëskryeministri Abdilaqim Ademi tha se pret unitet të delegacionit të Maqedonisë rreth raportit të Dick Martyt.
“Unë e di se deputetët janë takuar dhe kanë biseduar dhe se në rast se do të miratohen amandamente të caktuara, ata do të kenë qëndrim të përbashkët”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdilaqim Ademi, duke mos saktësuar se a është arritur marrëveshje midis grupit parlamentar të Maqedonisë që është pjesë e Këshillit të Evropës, pas paralajmërimeve nga partia e tij se do të kërkohet unitet midis të gjitha partive për të kundërshtuar raportin e raportuesit të Këshillit të Evropës Dick Martit, për akuzat e hedhura ndaj UÇK-së për trafikim me organe njerëzore.
Televizioni proqeveritar “Sitel” publikoi dje lajmin se delegacioni i Maqedonisë në Këshillin e Evropës do të mbështes projekt-rezolutën e deputetit zviceran, për të cilën do të votohet ditën e martë. Delegacioni i Maqedonisë siç u tha do të mbështes rezolutën e cila është në drejtim të zbulimit të së vërtetës.
NOA/INA