English

Berisha takon ambasadorët: Të vendosur të mbrojmë Kushtetutën

Tiranë, 23 janar 2011, NOA – Dy ditë pas demonstratës së 21 janarit ku humbën jetën të qëlluar me armë tre demonstrues, Kryeministri Sali Berisha thirri sot në takim ambasadorin e SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, atë të delegacionit të BE-së, Ettore Sequi, Ambasadorin e Hungarisë që mban presidencën e rradhës së BE-së, Sandor Molnari dhe Ambasadorin e prezencës së OSBE-së, Eugen Ëollfarth, të cilët i njohu me hollësi për të gjitha zhvillimet e fundit pas ngjarjeve të ndodhura.

Në njoftimin për shtyp zyra e shtypit të qeverisë informon se shefi i ekzekutivit i risiguroi ambasadorët për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për mbrojtjen e Kushtetutës, të shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike në vend.

Gjithashtu kryeministri Berisha zhvilloi takim edhe me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së, Nato-s por edhe vendeve të tjera, ku u bëri me dije hollësisht zhvillimet më të fundit.

Po sot, burime kryeministri Berisha ka thirrur një mbledhje të pazakontë të Këshillit të Ministrave, e cila do të zhvillohet në orën 17.00.

Në fakt pas takimit me ambasadorët ende nuk dihet se çdo të ndodhë me situatën politike në vend, e cila nuk është qetësuar, por është tejet e helmuar nga akuzat dhe kundërakuzat mes mazhorancës dhe opozitës, që bëjnë përgjegjëse njëra-tjetrën për vrasjen e demonstruesve të premten e 21 janarit mu në zemër të Tiranës, aty ku ndodhet edhe selia e kryeministrisë, “molla e ndaluar” që synuan me akte dhune demonstruesit.

mit/NOA

KOMENTE