Tiranë, 23 janar 2011, NOA – Kryeministri Sali Berisha paralajmëroi sonte në mbledhjen e pazakontë të qeverisë, ku lajtmotiv ishte diskutimi mbi ngjarjet që rrodhën në demonstratën e 21 janarit, se ka kërkuar sonte mbledhjen parlamentit në një seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të për puçin ndaj shtetit. “Ne do mbledhim parlamentin, do krijojmë komision hetimor parlamentar për puçin. Kjo është ajo çka ka dalë në sipërfaqe por, ka dhe elementë të tjerë”, tha zoti Berisha. Ndërkohë që opozita ka deklaruar se do të protestojë të premten në Tiranë pra në 28 janar, Berisha informoi sakaq se “në të gjitha takimet me trupin diplomatik, miq të Shqipërisë, ambasadorët kanë shprehur rezervat për mitingun e ditës së mërkurë, të datës 26 janar, që mazhoranca do të mbajë në kryeqytet, i cili është cilësuar nga lidershipi i PS-së Edi Rama si një antimiting ndaj demonstratës së 21 janarit. “Unë i sqarova që është paqësor, nuk synon gjë tjetër, veçse një manifestim kundër dhunës. Por sërish i garantova se kontrolli do të jetë i plotë. Pasi u ndava e kam menduar që ky manifestim të mos bëhet ditën e mërkurë, por të bëhet ditën e shtunë. Nuk mund të mos marr në konsideratë shqetësimin e partnerëve të vendit tonë”, theksoi kryeministri. Ai bëri me dije se ka edhe një arsye tjetër për shtyrjen, dhe që sipas tij është arsye madhore. “Unë ditën e enjte mund të udhëtoj për në Strasburg dhe problem është se pavarësisht nga këto rrethana të krijuara nga grushti i shtetit, mbase edhe do shkoj. Situata është absolutisht nën kontroll”, garantoi kryeministri, duke deklaruar se kur kreu i opozitës rrethoi për 5 orë kryeministrinë për të marrë pushtetin, kreu aktin më të rëndë. “Unë dua t’i them atij në mënyrë përfundimtare. Në një rast të dytë do ta garantoj se kurrë më s’do mund ta mendojë. Ky është vendimi im përfundimtar. Çdo tentativë e tij për dhunë do marrë ndëshkim. Ky nuk është kërcënim, unë nuk kërcënoj, sepse nuk jam ai që mund të hedhë gurin dhe fsheh dorën. Nuk do merrem në këtë mënyrë me anjë tjetër. Të gjithë do të jenë të amnistuar përveç atij. E bëre përsëri do kesh përgjigjen më fatale që mund të të jepet. Do ketë zero tolerancë ndaj prekjes së çdo institucioni”, siguroi Edi Ramën shefi i qeverisë. mit/NOA