English

Kisha Katolike, qytetarëve: Mos bini pre e lojërave politike

Tiranë, 23 janar, NOA – Një apel i fortë për klasën politike dhe gjithë qytetarët e vendit është bërë sot nga Kisha Katolike në vend, lidhur me ngjarjet e datës 21 janar. Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë kërkon nga qytetarët që të mos bëhen pre e lojrave politike që përdorin dhunën.

“U bëjmë thirrje edhe të gjithë vëllezërve e motrave shqiptare, që të mos bien pre e lojërave politike që përdorin dhunën, por me qëndrimet e tyre qytetare t'i japin politikës mesazhin e qartë se të gjithë së bashku duam të shkruajmë një faqe të re në historinë e Shqipërisë, ku pajtimi mbarëkombëtar fiton mbi përçarjet dhe urrejtjet politike”, thuhet në mesazhin e Konferenca Ipeshkvnore të Shqipërisë.

Nga ana tjetër në mesazh thuhet që politikanë të mendojnë për popullin dhe të heqin dorë nga ambiciet e tyre politike. “Ne, ipeshkvinjtë e Shqipërisë, u bëjmë thirrje atyre që kanë në dorë fatet e vendit, që të lënë mënjanë ambiciet politike e te vihen në shërbim të qytetarëve, me vullnetin e mirë për të bashkëpunuar për realizimin e aspiratave qytetare për paqe, mirëqenie e dinjitet”, thuhet në mesazhe.

Përfaqësuesit e Kishës Katolike i cilësojnë ngjarjet e 21 janarit si “një tjetër pikë të dhimbshme në ecjen e vendit tonë drejt stabilitetit të plotë social dhe politik. Kisha Katolike në Shqipëri ka ndjekur me shqetësim skenat e dhunës që sollën vdekjen e tre personave dhe tronditjen e tërë popullit, prandaj shpreh dhimbjen e saj për jetët e ndërprera në absurditetin e dhunës që u shfaq në mënyrë të befasishme në rrugët e kryeqytetit tonë”.

Më mesazh theksohet se emocionet nuk duhet të errësojnë arsyen. “Në këto momente, kur rrëmbimi i emocioneve rrezikon të errësojë arsyen, i lutemi Zotit që të shndrisë mendjet e të gjithë vëllezërve e motrave në Shqipëri, që të mbledhim forcat për të ndërtuar së bashku udhët e paqes, e të ecim pa ndalesa të kota drejt integrimit të plotë në familjen evropiane. Zoti e bekoftë popullin tonë me paqe e bashkim”, thuhet në mesazh.

a.k/NOA

KOMENTE