English

PS reagon ndaj deklaratave të PD

Tiranë, 23 Janar 2011 NOA - Partia Socialiste reagoi para pak çastesh ndaj deklaratave të PD përmes Megi Ajtyresa dhe shtroi pyetjen se “ku e gjejnë kurajën tërë përfaqësuesit e këtij pushteti matrapezësh e kusarësh që sot, ditën e varrimit të dy shqiptarëve të pafajshëm, të dalin e të flasin për banda kriminelësh e horrash?.

Ajtyresa duke mos iu ndarë dialektit shkodran shtron një tjetër pyetje:

“Si nuk i vjen turp Jozefina Topallit e Sokol Olldashit që pikërisht sot, kur viktimat e egzekutorëve të Sali Berishës e Lulzim Bashës nderohen nga një Shqipëri e tërë, ndërkohë që egzekutuesit enden akoma të lirë edhe pse mbi ta rëndojnë jo vetëm jetët e 3 viktimave, por edhe 6 fletëarreste akoma të pazbatuara nga policia e Lulzim Bashës”.

Kurse pyetja tjetër ishte: “Cilat janë bandat që tentuan të merrnin pushtetin me dhunë? Ata që u qëlluan për vdekje teksa thjesht po qëndronin duarbosh, dukshëm larg godinës së kryeministrisë, emigrantë, bujq e të papunë, baballarë fëmijësh të mitur, që protestonin paqshëm kundër këtij regjimi që jo vetëm vodhi çdo ditë shqiptarët, por që tani dhe i vrau pa i bërë syri tërr? Apo nëna me fëmijën në gji, që akoma sot ndodhet turpësisht e burgosur në burgun 313 në Tiranë?”.

Në fund Ajtyresa e mbyll me pyetjen: “Cilin shtet ligjor e cilat institucione mbronin këta vrasës ende në liri, të cilët pasi morën plot 3 jetë njerëzish edhe u shpërblyen financiarisht nga Sali Berisha? Si guxojnë këta njerëz të flasin për institucione të pavarura, kur pikërisht sot, në mënyrë të paprecedentë dhe të turpshme gjetën kurajën të akuzojnë Prokuroren e Përgjithshme si organizatore të një grushti imagjinar shteti?”

e.r/NOA

KOMENTE