Tiranë, 23 janar 2011, NOA – Pas disa deklaratave të përfaqësuesve të partisë Demokratike ka reaguar edhe selia rozë, e cila i cilëson një turp daljen e tyre publike me akuza për banda kriminelësh, duke i rënduar edhe më fort jetët e tre viktimave të pafajshme që guxuan të protestonin para kryeministrisë. Anëtarja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Megi Ajtyresa i akuzon përfaqësuesit e PD-së se kurajoja e tyre dëshmon për pushtetin e tyre prej matrapezësh e kusarësh.
“Si nuk i vjen turp Jozefina Topallit e Sokol Olldashit që pikërisht sot, kur viktimat e egzekutorëve të Sali Berishës e Lulzim Bashës nderohen nga një Shqipëri e tërë, ndërkohë që egzekutuesit enden akoma të lirë edhe pse mbi ta rëndojnë jo vetëm jetët e tri viktimave, por edhe 6 fletë-arreste akoma të pazbatuara nga policia e Lulzim Bashës”, tha Ajtyresa.
“Cilat janë bandat që tentuan të merrnin pushtetin me dhunë? Ata që u qëlluan për vdekje teksa thjesht po qëndronin duarbosh, dukshëm larg godinës së kryeministrisë, emigrantë, bujq e të papunë, baballarë fëmijësh të mitur, që protestonin paqshëm kundër këtij rregjimi që jo vetëm vodhi cdo ditë shqiptarët, por që tani dhe i vrau pa i bërë syri tërr? Apo nëna me fëmijën në gji, që akoma sot ndodhet turpësisht e burgosur në burgun 313 në Tiranë?”, bëri thirrje Ajtyresa.
Ajo tha se është e turpshme për kryeministrin Sali Berisha që vrasësit që u morën jetën tre njerëzve tashmë edhe janë shpërblyer.
“Si guxojnë këta njerëz të flasin për institucione të pavarura, kur pikërisht sot, në mënyrë të paprecedentë dhe të turpshme gjetën kurajon të akuzojnë Prokuroren e Përgjithshme si organizatore të një grushti imagjinar shteti?”, tha Ajtyresa, duke theksuar se është turp për këtë qeveri e turp për Sali Berishën, i cili sot po u rikthen shqiptarëve në kujtesë avazet e tij të vjetra, që në këto 20 vjet kanë marrë mjaftueshëm jetë njerëzish.
mit/NOA