Tiranë, 23 janar 2011, NOA- Në vijim të deklaratës së tij kreu i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi se Shqipëria është vend demokratik dhe i pushtuar dhunshëm me vota të vjedhura dhe me drejtësi të ndrydhur.
Lidhur me deklaratën e Kryeministrit, se nëse rasti do të përsëritet, atëherë toleranca do të jetë zero, Rama u shpreh se, “Jeta ime nuk është më e shtrenjtë se jeta e tre qytetarëve të thjeshtë”.
Duke vijuar më tej ai e akuzoi Kryeministrin Berisha se ka konsumuar veprën e grushtit të shtetit duke përdorur qeverinë për të nënshtruar dhe asgjësuar demonstruesit dhe drejtësinë.
Ai tha më tej se sulmi ndaj drejtësisë dhe posaçërisht prokurorisë, e dëshmon më hapur këtë fakt.
“I dëgjova akuzat për prokuroren se paska marrë në mbrojtje eksponentët e opozitës, ata të cilët janë akuzuar gjatë viteve të qeverisjes socialiste. Kë ka marrë në mbrojtje Fatosin apo Ilirin, sepse të dy janë parë krah për krah me Saliun”, është kundërpërgjigjur Rama.
Ai i cilësoi këto akuza si të ngritur mbi bazën e etheve të papërmbajtshme për pushtet, me bazën për të bërë maskaradë, vetëm e vetëm në mënyrë që të arrijë apo të mbajë karriken e vet.
a.y/NOA