English

Shoqëria civile: Partitë politike të ulen në tryezë për zgjidhje afatgjatë

Tiranë, 23 janar 2011, NOA – Një grup shoqatash në mbrojtje të të drejtave të njeriut dhe të shoqërisë civile i kanë bërë thirrje partive politike që të ulen sa më parë në tryezën e partive për të gjetur një zgjidhje për qetësimin e situatës në vend. “Ne shprehemi të alarmuar se situata mund të precipitojë nga momenti në moment në gjakderdhje të mëtejshme dhe në humbje të pajustifikuara jete”, thuhet në deklaratën për shtyp të shoqërisë civile. Organizatat nënshkruese të këtij reagimi publik i bëjnë thirrje politikës dhe politikanëve shqiptarë që të heqin dorë nga gjuha konfliktuale dhe të marrin hapa të menjëhershëm për një zgjidhje afatgjatë të situatës për qytetarët shqiptarë. “Ne i bëjmë thirrje kryetarit të Qeverisë dhe kryetarit të Opozitës që të ulen urgjentisht në një tryezë, nga e cila duhet të dalin me zgjidhje konkrete të situatës. Ne besojmë se është koha për një dialog serioz për gjetjen e një konsensusi të ri politik për Shqipërinë”, thuhet në deklaratë. Duke shprehur ngushëllimet për të afërmit e tre viktimave që humbën jetën në demonstratë shoqatat i bëjnë thirrje oranit të akuzës të hetojë sa më parë vrasjen e tre qytetarëve. “Ne kërkojmë një hetim të shpejtë dhe profesional të vrasjes së tre civilëve të pa-armatosur, si dhe për dhunën e tepruar të ushtruar nga ana e forcave të policisë dhe gardës në drejtim të demonstruesve”, deklaron shoqëria civile. Në deklaratën e tyre ky grup shoqatash deklaron se gjatë demostratës kishte një prezencë shqetësuese edhe të fëmijëve, andaj ato i kanë bërë thirrje të gjithë prindërve si dhe partive politike që të mos lejojnë fëmijët të bëhen pjesë e protestave dhe të kujdesen për sigurinë fizike të tyre. “Situata është e tillë që kërkon vëmendjen e të gjithë shoqërisë civile që tashmë duhet të dalë nga apatia dhe të marrë përsipër rolin kritik që i takon të ketë në një shoqëri demokratike, në një vend anëtar të NATO-s dhe aspirant për të qenë anëtar i Bashkimit Europian”, përfundon deklarata për shtyp e grupit të shoqatave, e mbështetur nga Grupi Shqiptar për të Drejtat e Njeriut, Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (SOROS), Forumi i Pavarur i Gruas Shqiptare, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Ambasada PINK, Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA), Qendra e Aleancës Gjinore për Zhvillim, Qendra e Informacionit dhe Kërkimeve, Qendra Shqiptare për të Drejtat e Njeriut e për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri, ALO 116 – Linja e Telefonit të Ndihmës për Fëmijët. mit/NOA

KOMENTE