English

Solana: Pavarësia e Kosovës duhej të shpallej më parë

Madrid, 23 janar 2011, NOA- Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s dhe ish-përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Havier Solana, shprehet se pavarësia e Kosovës është e vonuar. Ky rrëfim i tij vjen në librin e tij “Mbrojtja e politikës”, ku në faqet e tij trajtohen ngjarjet e 20 viteve të fundit në Ballkan dhe arsyeton vendimet e marra në atë periudhë. Këto ngjarje ai i ka detajuar në një intervistë për të përditshmen spanjolle “El Pais”, ku është shprehur se, “Është vështirë të ndalet koha, veçanërisht kur ekziston plani i OKB-së, që e ka përpiluar Marti Ahtisari. Nga këndvështrimi i sotëm, me siguri se është dashur menjëherë të bisedojmë rreth pavarësisë dhe ta zgjidhim, e jo ta vonojmë”, ka thënë Solana. Në vijim ai flet për luftën në Bosnje e Kosovë dhe bombardimet ndaj qarqeve serbe. “Besoj se kemi qenë të drejtë me serbët gjatë tërë periudhës së Millosheviçit. Ata e kanë filluar luftës dhe janë përgjegjës, kur flasim për Bosnjën, për aksionet në Serbrenicë. Më vonë, Millosheviçi ishte përgjegjës për luftën në Kosovë”, ka thënë Solana. Ai thotë se ka pasur shumë takime me Millosheviçin, ndonjëherë deri në mëngjes, me harta të hapura në tavolinë me pozicion të saktë të forcave serbe. Ndërsa duke folur për Kosovën, Solana pohon se nuk ka pasur dëshirë të bombardohet Serbia. Ka thënë se deri në momentin e fundit është besuar se politika e presionit dhe kërcënimeve do të jepte rezultate. “Por, kur ndodhi masakra në Raçak, është marrë vendimi për intervenim nga ajri”, ka deklaruar Solana Në mbyllje të rrëfimit të tij, Solana është shprehur bashkësia ndërkombëtare ka bërë gabim më vonesën e pavarësisë së Kosovës. Ai ka thënë se qëllimi ishte ndërprerja e spastrimit etnik, por kur ishte marrë vendimi për protektorat ndërkombëtar në kohëzgjatje prej pesë vitesh, nuk kishte kthim mbrapa. a.y/NOA

KOMENTE