Mitrovicë, 23 janar 2011, NOA - Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar sot lidhur me parregullsitë e vërejtura qysh në mëngjes gjatë rivotimit të sotëm në Mitrovicë. Vetëvendosja e Albin Kurtit shpreh brengosjen e saj se komisionerët e partive politike, të prirë nga ata të PDK-së edhe këtë rradhë po tentojnë të implementojnë të njëjtin skenar sikurse në votimet e 12 dhjetorit dhe atyre të 9 janarit. Sipas saj komisionerët e PDK-së së Hashim Thaçit po kërcënojnë vëzhguesit e lëvizjes Vetëvendosje. Sipas Vetëvendosjes në orën 9:55, në shkollën “Migjeni”, në vendvotimin 1102b/07r, në Mitrovicë, vëzhguesi i kësaj lëvizjeje, Egzon Jashari është kërcënuar nga komisioneri i PDK-së Metor Balia. Vetëvendosje informon se kryesuesi Salih Hetemi, nga LDD-ja nuk lejon që ky rast të shënohet në librin e votimeve. Ndërkohë parregullsi të tjera janë vërejtur edhe në Qendrat e Votimit 1102X dhe 1102B, përkatësisht në shkollat fillore “Abdullah Shabani” dhe “Migjeni”, ku nuk u lejuan gazetarët të hyjnë brenda, me arsyetim se është urdhër nga KKZ-ja. “Ndërkaq në shkollën fillore “Hivzi Sylejmani”, në qendrën e votimit 1112b, numri i votuesve në zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010 ka qenë 2933, ndërsa në këto zgjedhje 3202.Në qendrën e votimit 1129b 02d, në shkollën “Sylejman Vokshi”, kryesuesi i vendvotimit Muhamet Veseli nga radhët e PDK-së, orienton votuesit “votoni IPKO”, që nënkupton numrin 49 – PDK”, thuhet në deklaratën e Vetëvendosjes. Sipas saj parregullsi pati edhe në vendvotimin 1102x, kur në orën 10:23, në kabinën e votimit është gjetur një kartelë voto AKR. Në këtë kontekst Vetëvendosja deklaron se është ironia më e madhe që TV Mitrovica nga ora 11:33 ka transmetuar fjalime dhe aktivitete të Hashim Thaçit, duke e thyer në këtë mënyrë heshtjen zgjedhore. mit/NOA