Tiranë, 24 janar 2011, NOA - Konfindustria, duke marrë shkak nga ngjarjet mjaft shqetësuese që kanë pasuar situatën politike në vend i ka bërë thirrje ekzekutivit dhe të gjitha institucioneve shtetërore të gjejnë sa më parë me përgjegjshmëri zgjidhjen e situatës politike duke respektuar Kushtetutën e vendit. Administratori i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku theksoi se “Janë të gjitha arsyet dhe shkaqet, që Shqipëria përfundimisht të përzgjedhë dhe zbatojë standardet demokratike të ndërtimit dhe funksionimit të shtetit duke shmangur përgjithmonë rrezikun shkatërrues, fatkeqësisht të provuar disa herë deri me tash, të rënies së sistemit qeverisës ose në anarshi ose në diktaturë”.
Konfindustria shpreh domosdoshmërinë e gjetjes së zgjidhjeve afatgjata politike në një kohë sa më të shpejtë, pasi skundër shprehet ajo “Ekonomia shqiptare ka nevojë për qëndrueshmëri politike, shoqërore dhe institucionale për të siguruar investimet e nevojshme të brendshme dhe të huaja, që do të sigurojnë zhvillimin e vendit dhe mirëqenien e dëshiruar të qytetarëve”.
Duke iu referuar problemeve të ekonomisë shqiptare të cilat janë të ndjeshme në vazhdim të krizës globale, Konfindustria nënvizon se një numër i madh partnerësh institucionalë ndërkombëtare si dhe shumë investitorë të huaj kanë shprehur shqetësimin e tyre për ngjarjet në Shqipëri si dhe domosdoshmërinë për të arritur sa më shpejt në zgjidhje të qëndrueshme si kusht parësor për zbatimin e projekteve të parashikuara dhe në vazhdim.
Konfindustria vlereson, se Shqiperia i ka të gjitha kushtet e nevojshme historike, institucionale, kushtetuese, shoqërore dhe politike si edhe mbështetjen e vendeve miq, për ndërtimin e një shteti demokratik dhe funksional në të mirë të gjithë kombit shqiptar
mit/NOA