Kakavijë, 24 janar, NOA - Policia Kufitare e Kakavijës ka arrestuar në flagrancë dy persona për kontrabandë kafeje, ndërsa ka sekuestruar rreth 22 ton kafe dhe 2 ton fruta (mollë).
Lajmi konfirmohet prej saj për agjencinë e Lajmeve NOA, duke saktësuar se i ndaluari i parë është 28-vjeçari Mariglen Shehaj, lindur dhe banues në Delvinë, i cili drejtonte automjetin e tij tip kamjon Benz me targa TP 2673B dhe është futur nga territori grek për në territorin shqiptar.
Pasi ka kryer veprimet e para në sportelet e Policisë Kufitare në Kakavijë, punonjësit e policisë e kanë drejtuar për në sportelin e doganës për të kryer veprime të mëtejshme pasi kamioni ishte i ngarkuar me mallra që paguhet akcizë.
Por ai pasi nuk ka mundur dot të realizojë kalimin e kamionit duke iu shmangur detyrimit doganor, ka tentuar të rifusë përsëri kamionin në tokën greke, duke kaluar me shpejtësi dhe mos iu bindur urdhrit të punonjësit të policisë kufitare për të ndaluar.
Menjëherë shërbimet e Policisë Kufitare kanë bashkëpunuar me palën greke duke bërë bllokimin e mjetit si dhe më pas kapjen e drejtuesit të kamionit pasi ky shtetas braktisi kamionin në tokën greke dhe u largua me vrap, por është kapur nga policia.
Kamioni është sjellë në pikën doganore të Kakavijës, ku rezultoi se në brendësi të tij kishte 22 tonë kafe dhe 2 tonë mollë, ku drejtuesi i automjetit u përpoq t’i kalonte pa kryer veprimet doganore.
Sasia e Kafes dhe e mollëve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Ndërkaq, malli i sekuestruar ishte porositur nga Bebi Qebini, 43 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Luzat të Tepelenës për llogari të firmës në pronësi të bashkëshortes së tij.
Ky person ishte shoqërues i mallit dhe është arrestuar në mjediset e Pikës Kufitare të Kakavijës.
n.e/NOA