Tiranë, 24 janar 2011, NOA – Pas takimeve me Presidentin e Republikës të shtunën dhe me Kryeministrin, ambasadorët e vendeve të BE-së kanë nisur një takim para pak minutash me Kryetarin e Opozitës Edi Rama për të bërë të mundur gjetjen e zgjidhjes për qetësimin e situatës politike në vend të rënduar tejet pas demonstratës së dhunshme të 21 janarit dhe precipitimit të saj në vrasjen e tre demonstruesve. Takimi po zhvillohet në mjediset e selisë rozë.
Në takimin me shefin e PS-së marrin pjesë ambasadori i Greqisë, Hollandës, Francës, etj.
Dje ambasadorët e BE-së, dhe ai i amerikan Aleksandër Arvizu takuan kryeministrin Sali Berisha, të cilit i kërkuan arritjen e dialogut politik dhe qetësimin e situatës në vend.
Madje ambasadorët shprehën edhe shqetësimin e tyre për demonstratën e ardhshme të mazhorancës, për të cilën kryeministri Berisha garantoi se do të jetë paqësore.
Takimi zhvillohet ndërkohë që si opozita dhe mazhoranca kanë paralajmëruar zhvillimin e dy demonstratave paqësore, të premten dhe të shtunën, gjë që duket se ka shqetësuar ndërkombëtarët, të cilët i tremben përsëritjes së një demonstrate të dhunshme si ajo e 21 janarit, ku humbën jetën tre demonstrues.
Takimi nisi në orën 17.00 dhe ka për lajtmotiv situatën e rëndë politike të shkaktuar nga ngjarjet që shënuan demonstratën e 21 janarit.
mit/NOA