Tiranë, 24 Janar, NOA - Gazetat shqiptare janë të mbushura kryesisht me artikuj që flasin mbi reagimet e djeshme të politikës për arrestimin e gardistëve, si edhe gjithçka ndodhi në demonstratën e 21 Janarit.
Një tjetër argument i trajtuar gjerësisht në media është edhe ai i homazheve të kryera dje për viktimat e kësaj demonstrate, shoqëruar edhe me vendimin e seancës plenare për të ngritur një komision hetimor parlamentar mbi 21 Janarin.
E përditshmja “Shekulli” ka si argument kryesor të ditës “Bie Republika”, i cili u pohon lexuesve të kësaj gazete se vendi po shkoka drejt diktaturës.
“Kush e dha urdhrin? Hierarkia e Gardës”, është një artikull tjetër që aludon me kompetencat e vërteta të Gardës së Republikës.
“Mustafa Nano: Këta mund të më vrasin edhe mua” është një artikull tjetër që do lexoni në këtë gazetë.
E përditshmja “Panorama” ka si argument kryesor titullin “Hetimi i vrasjeve/ sekuestrohen 140 armët e Gardës, arrestet pezull”, i cili flet për situatën e krijuar mes drejtësisë dhe mazhorancës për 21 Janarin.
“Kuvendi, komision për prokurorinë/ Berisha: Ina Rama i ka raportuar Edi Ramës”, është një tjetër artikull i gazetës.
Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Delegacioni në Strasburg, PD-PS bashkë kundër Dik Martit ”; “Përdhunoi vajzën, 12 vjet burg babait”; “Gjenerali i Kadaresë, në 7 librat më të mirë të dekadës” etj.
“Gazeta Shqiptare” ka si artikull kryesor “Hakmarrje shtetërore/ Berisha: Edi Do merrem me ty”, i cili citon deklaratat e bëra nga kryeministri Berisha ndaj kryesocialistit nëse tenton përsëritjen e dhunës së 21 Janarit.
“Gardistët që qëlluan, mbahen të izoluar në Kryeministri” është një artikull tjetër i kësaj gazete, referuar asaj çka po ndodh në Kryeministri.
Kurse “Xhaxhai i Aleksit: Erdhi Topalli dhe nuk i hodhi sytë nipit tonë ”, flet për reagimin e të afërmit të një të plagosuri në demonstratën e 21 Janarit.
E përditshmja “Shqip” hapet me titullin kryesor “Palët marrin katër ditë kohë”, i cili tregon sesi ndërkombëtarët kanë ndërhyrë për të qetësuar disi situatën e krijuar mes dy kampeve kryesore politike në vend.
“Mazhoranca e shpall kryeprokuroren puçiste” është një tjetër artikull kryesor i kësaj gazete, i cili citon deklaratat e kryeministrit Berisha kunër kryeprokurores Ina Rama.
Vijojnë disa nga titujt e tjerë të kësaj gazete “Rama: Sali Berisha po bën grusht shteti”, “Misteri i gardistëve të plagosur, spital partizan në Kryeministri” etj.
E përditshmja “Koha Jonë” hapet me titullin “Ina Rama, plan për të eliminuar Sali Berishën”, i cili pasqyron skenarin e kryeprokurores për të ndëshkuar mazhorancën në lidhje me demonstratën e 21 Janarit.
Një artikull i veçantë i kësaj gazete është edhe ai me titullin “Berisha: Rama, nëse përsërit 21 Janarin, të pret ndëshkim ekzemplar”.
Një tjetër artikull i kësaj gazete është ai me titull “Edi Luarasi: Po sikur policët të mos i kishin skafandrat?”.
Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Hënë, 24 Janar 2011. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht. Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t’u abonuar në këtë shërbim dhe për t’u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail: info@noa.al.