English

PDU: Të bashkohemi të gjithë për të dënuar dhunën

Tiranë, 24 janar 2011, NOA – Pas demonstratës së 21 janarit ku mbetën të vrarë tre nga demonstruesit dhe të plagosur dhjetëra të tjerë, Partia Drejtësi dhe Unitet i bën thirrje qytetarëve shqiptarë që të bashkohen dhe të dënojnë ashpër këto incidente të rënda. PDU bën thirrje për unitet kombëtar dhe për shmangien e acarimit të skajshëm mes dy forcave politike si dhe shmangien nga klima konfliktuale.

Sipas PDU në këtë moment të vështirë politik me të cilin po përballet vendi nevojitet respekt dhe mbështetje për institucionet shtetërore, ndërkohë që duhet t’i hapet rruga drejtësisë që të hetojë ngjarjet në mënyrë të pavarur.

“Çdo akt dhunë-nxitës, çdo deklaratë që acaron edhe më tej klimën e nderë në vend dëmton shtetin shqiptar, ekonominë e qytetarëve, shpresën e tyre, imazhin e vendit tonë në arenën ndërkombëtare, çështjet kombëtare shqiptare dhe çdo qytetar që dëshiron që Shqipëria të eci në rrugën e mirëqenies ekonomike, integrimit evropian dhe kohezionit social. Ekziston vetëm një Shqipëri dhe kjo është Shqipëria e shqiptarëve, të cilën nuk mund ta monopolizojë asnjë individ, forcë politike apo grupim individësh”, shkruhet më tej në deklaratën e PDU-së.

PDU duke mbështetur deklaratat për dialog e mosnxitje të tensioneve nga të gjitha përfaqësitë diplomatike në vend, kërkon zbardhjen e ngjarjeve sa më parë me qëllim ruajtjen e demokracisë dhe stabilitetit në vend.

mit/NOA

KOMENTE